Në një kohë kur vendi ynë është prekur nga koronavirusi, pasi deri më tani janë regjistruar 10 raste, ekonomisti Besart Kadia deklaroi se kjo situatë padyshim që ka ndikim të madh në ekonomi, ndërsa nuk përjashtoi faktin se bota mund të hyjë në recesion. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ në vendin tonë do të ketë një rënie të konsumit, pasi kjo do të reflektohet dhe me masat e ndërmarra nga qeveria për mbylljen e disa aktiviteteve. Kadia e cilësoi koronavirusin dhe një ‘epidemi ekonomike’.

“Që para një muaj ka qenë alarmi që është dhënë, ku thuhej se çfarë po ndodhte në Kinë do prekte prodhuesit shqiptarë. Do prekte kërkesën e produkteve që do vinin në Shqipëri. Kur u prek Italia, u prekëm menjëherë. Qytetarët që jetojnë atje, apo dhe shqiptarët që donin të iknin atje apo italiane që vinë për turizmit. E para është rënia e konsumit, pasi me vendimin per mbyllje, do preken dhe pub-uet, restorantet. Kjo do të thotë se biznesi do të ketë më pak të ardhura, do të ketë më pak të ardhura për buxhetin e shtetit. E rëndësishme është dhe turizmi. Duke qenë se është bllokuar në të gjithë botën, është frika europiane që njerëzit nuk po lëvizin. Kjo nuk dihet se sa mund të zgjasë, një javë apo deri në 3 muaj. Problem janë dhe eksportet e ekonomisë shqiptare. Eshtë dhënë një efekt i menjëhershëm në ekonominë botërore. Ka diskutime se bota mund të hyjë dhe në recension. Mund të kemi dhe kriza të tjera financiare.”, tha Kadia.

Po ashtu ai theksoi se kjo është fatkeqësia e dytë që i ndodh Shqipërisë në një kohë të shkurtër, pas tërmetit të 26 nëntorit. Mes të tjerash Kadia theksoi nevojën e një plani se çfarë do të ndodhë me biznesin.

“Impakti do të jetë i menjëhershëm tek këto biznese që do të mbyllen. Duhet të merren masa që mos të ketë gjoba, masa nga tatimet. Qeveria do duhej të kishte planin paraprak, se çfarë pret nga komuniteti i biznesit. Në këtë situatë të vështirë, në këndvështrimin e dytë, Shqipëria ka fatkeqësinë e dytë pas tërmetit, që ndodh në një kohë të shkurtër. Njerëzit nuk duhet të futen në panik dhe ka nevojë për koordinim. thirrja është për qeverinë që të marrë plan-masash për të ndihmuar ekonominë në këto çaste. Pjesa e tërmetit ishte pozitive për rindërtimin. Ndërsa pjesa që njerëzit do të mbeten në shtëpi, mund të ndikojë në aktivitetin në tërësi. Shpresojmë që kjo situatë jo normale të mos vazhdojë gjatë. Nëse vazhdon, do të ketë presion tek financat e shtetit. Qeveria do të ketë publike jo vetem masa të marra çdo ditë, por masa të marra në të gjithë strukturat shtetërore për skenarë të mundshme që mund të ndodhin. Njerëzit duhet t’i dinë që sot, që të marrin masat e tyre. Nuk duhen harruar masat lehtësuese për komunitetin e biznesit.”, -tha ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb