Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj i ka dërguar një letër tre institucioneve të drejtësisë Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të prokurorisë me anë të së cilës i kërkon të inkurajojnë zbatimin e alternativave të dënimit dhe aplikimin e masave shtrënguese të ndryshme nga masa e arrestit me burg për personat nën hetim apo të pandehur, sipas parashikimeve ligjore. Kjo kërkesë vjen për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi dhe masave të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes.

Në shkresën e Gjonajt, thuhet se janë të akomoduar rreth 5200 persona të burgosur, nga të cilët 2600 janë të dënuar dhe 2600 janë të paraburgosur. Në këto institucione janë të punësuar 4050 punonjës, të cilët për shkak të natyrës së punës së tyre, do të vijojnë të jenë në shërbim, me tri turne, duke i siguruar kushtet dhe mjetet e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe të personave që ndodhen në institucion, me qëllim parandalimin e përhapjes së infektimit nga virusi COVID-19.

Kërkesa për nxjerrjen e udhëzimeve mbi aplikimin e masave dhe dënimeve penale alternative është dërguar nga Gjonaj më 14 mars dhe ka si qëllim parandalimin e rritjes së numrit të personave që vuajnë dënimin në institucionet e vuajtjes së dënimit, kjo dhe në kuadër të nevojës së përballimit të pandemisë globale me të cilën po përballemi dhe rrezikut që ekziston për infektimin e personave që ndodhen aktualisht në këto institucione nga personat që futen rishtazi.

KËRKESA
Duke marrë shkas nga situata e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet vendi ynë, Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë një sërë masazh të rëndësishme me qëllim parandalimin dhe frenimin e përhapjes së virusit COVID-19 i cili ka shkaktuar një pandemi globale, të deklaruar si e tillë nga Organizata Botërore e Shëndetit në datën 11 mars 2020. Ministria e Drejtësisë, pas një pune paraprake të kryer nga strukturat e saj, si dhe në vijim të vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka marrë një sërë masash të shtuara për të gjitha institucionet e varësisë, në mënyrë specifike për sistemin penitenciar në të cilin mbahen e trajtohen një numër i madh personazh të dënuar e të paraburgosur, me qëllim parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19.
Në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, aktualisht janë të akomoduar rreth 5200 persona të burgosur, nga të cilët 2600 janë të dënuar dhe 2600 janë të paraburgosur. Në këto institucione janë të punësuar 4050 punonjës, të cilët për shkak të natyrës së punës së tyre, do të vijojnë të jenë në shërbim, me tri turne, duke i siguruar kushtet dhe mjetet e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe të personave që ndodhen në institucion, me qëllim parandalimin e përhapjes së infektimit nga virusi COVID-19.

Në kushtet e përshkallëzimit të situatës dhe nevojës për të siguruar në mënyrë sa më efektive mbrojtjen e shëndetit të personave të cilët vuajnë dënimin dhe të paraburgosurve, si dhe vështirësitë në administrimin e situatës dhe nevojave të cilat vijnë në rritje, pavarësisht masave të marra, kërkohet bashkëpunimi i të gjitha institucioneve shtetërore, përfshirë këtu edhe ato të sistemit gjyqësor, në marrjen e masave për të aplikuar politika e strategji të cilat do të ndihmojnë në këtë situatë për administrimin sa më të mirë të institucioneve penitenciare por njëkohësisht pa cenuar masat e sigurisë në to.

Në kuadër të këtyre masave, kërkojmë nga ana juaj udhëzimin dhe orientimin e gjykatave dhe prokurorive për të pasur në vëmendje dhe për të inkurajuar zbatimin e alternativave të dënimit dhe aplikimin e masave shtrënguese të ndryshme nga masa e arrestit me burg për personat nën hetim apo të pandehur, sipas parashikimeve ligjore, përdorimin më të shpeshtë e më të gjerë të tyre, duke pasur parasysh dhe faktin që në praktikë, alternativat e dënimit me burgim janë përdorur shumë rrallë dhe prirja ka qenë kryesisht drejt dënimit me burgim për llojet e dënimeve dhe arrestit në burg për llojet e masave shtrënguese të personit.

Kërkojmë angazhimin tuaj maksimal, për të vepruar në një kohë sa më të shpejtë, me qëllim parandalimin e rritjes së numrit të personave që vuajnë dënimin në institucionet e vuajtjes së dënimit, kjo dhe në kuadër të nevojës së përballimit të pandemisë globale me të cilën po përballemi dhe rrezikut që ekziston për infektimin e personave që ndodhen aktualisht në këto institucione nga personat që futen rishtazi.

Për sa më sipër Ministria e Drejtësisë, si autoriteti përgjegjës për menaxhimin dhe monitorimin e sistemit penitenciar, vlerëson disponibilitetin tuaj për të bashkëpunuar për përballimin me sukses të kësaj situate delikate, duke zbatuar për aq sa është e mundur dhe ligjore, alternativat e dënimeve me burgim apo masave shtrënguese të ndryshme nga arresti në burg ndaj personave nën hetim apo të pandehur.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb