TIRANË

Vetëm pak ditë pas një situate të nderë të krijuar mes maxhorancës qeverisëse dhe kryetares së Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, përfaqësuese e PD, qeveria ka vendosur lirimin nga detyra të Prefektit të Shkodrës Çesk Millja. Zbulimi i disa rasteve me COVID-19 në Shkodër dhe zgjerimi i shpejtë i hartës, bëri që ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj të vizitonte qytetin pak ditë më parë, duke parë nga afër dhe një nga pikat kritike në këtë situatë epidemie, siç ishte tregu. Nuk munguan as deklaratat e forta nga të dyja palët, që më pas sollën dhe reagime.

Por sot Ministri Lleshaj dha sot dhe arsyet e lirimit nga detyra të prefektit Millja.  Ai deklaroi se vërejtjet nuk kanë qenë të adresuara vetëm tek Bashkia.

“Këshilli i Ministrave me vendim të sotëm, ka vendosur lirimin nga detyra e Prefektit të qarkut Shkodër të zotit Çesk Millja. Vendimi është marrë në kuadër të përpjekjeve për një mbështetje më të madhe nga ana e Qeverisë për Shkodrën në tërësi dhe sidomos për mbështetjen e masave për tejkalimin e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.

Nëse ne kemi shprehur rezerva deri tani për gjendjen në Shkodër, kjo nuk do të thotë që të gjithë vërejtjet kanë qenë të adresuara vetëm tek Bashkia.

Ne mënyrën se si kanë funksionuar apo nuk kanë funksionuar gjërat në Shkodër kanë ndikimin e tyre edhe drejtues të caktuar degëve territoriale në qark si dhe vetë Prefekti të qarkut si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë atje.

Për fat të keq, gjatë kësaj periudhe të pandemisë, është vërejtur një inerci burokratike e papranueshme, një hezitim për të marrë përsipër përgjegjësi dhe mungesë e lidershipit, aq të domosdoshëm, sidomos në situata të tilla, kur drejtuesit duhet të marrin përsipër përgjegjësi për vendime për të cilat jo domosdoshmërisht ekziston ndonjë praktikë e konsoliduar më parë. Situata të tilla kërkojnë iniciativë dhe vendimmarrje.

Çdo drejtues vihet përballë situatave të panjohura dhe përballë vendimmarrjeve ndonjëherë të pasigurta. Hezitimi për të vepruar dhe për të vendosur, mund të sjellë shkaktojë mosveprimin i cili sjell pasoja të paparashikueshme.

Mungesa e vendimmarrjes për menaxhimin e situatës është arsyeja e vendimit për lirimin nga detyra të Prefektit të Qarkut Shkodër”, deklaroi Lleshaj.

Ky është shkarkimi i parë nga qeveria, mbi një muaj pas zyrtarizimit të rasteve të para me koronavirus në Shqipëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb