TIRANË

Ish-ministri i Shëndetësisë Gjergji Koja ka folur sot në studion e News24, në rubrikën “Opinion” për koronavirusin, frikën që ekziston dhe gatishmërinë e strukturave shëndetësore.

Koja tha se nuk duhet të kemi frikë por kujdes maksimal. Sipas tij, survejanca duhet të jetë e lartë.

“Është kthyer në një kryefjalë dhe ka tërhequr vëmendjen dhe është shndërruar në ankth e panik. Frikë jo nuk duhet të kemi për fat të mirë. Kujdes ekstrem po. Shqipëria konsiderohet një vend me risk të ulët dhe strukturat shëndetësore në Shqipëri janë në masë alerti. Kjo nuk do të thotë që duhet të ulim survejancën. Por ka disa lajme të mira nga kjo çështje në raport në deklaratat e OBSH. OBSH deklaron se rastet nuk po rriten në mënyrë dramatike jashtë Kinë. Shqipëria do ta kalojë edhe këtë problematikë madhore të popullatës botërore sikurse ka kaluar me sukses problematika të tjera. Kujdesi maksimal i strukturave shëndetësore por edhe kujdesi maksimal i çdo njeriu do çojë në minimumin e mundshëm riskun”, tha ai.

Koja konfirmoi praninën e strukturave të karantinës të ngritura në vend si dhe bokseve të izolimit tek Infektivi.
“Përderisa deklarohet që ka karantinë, mendoj që është një situatë që strukturat shëndetësore i kanë paraprirë të keqes. Kemi bokset e izolimit në klinikën infektive. Duhet të mbyllet lufta politike. Duhet të jemi maksimalisht vigjilentë ndaj alertit të strukturave shëndetësore. Pra, ka karantinë, ka bokse izolimi”, theksoi ai.

Koja foli me optimizëm për situatën botërore por pranoi se jemi larg pritshmërisë për vaksinën.
Sa iu përket PPP-ve dhe konkretisht koncesionit të sterilizimit, ish-ministri tha se ka pasur një impakt të madh pozitiv.
“Është e vërtetë që është bërë zhurmë e madhe. Mendoj që ka ardhur momenti që edhe në Shqipëri të ndajmë një gjë, kush është mjek dhe kush është kostoist. Asnjëri nuk mund të bëjë punën e tjetrit. Do të theksoja që dhënia me koncesion e sterilizimit, nga pikëpamja e impaktit meriton notën 10. Kjo matet me indikatorë. Dy janë, infeksioni spitalor dhe ditëqëndrimi në spital. Të dyja kanë njohur një rënie drastike”, u shpreh.

Lidhur me largimin e mjekëve dhe infermierëve, ai tha se ky nuk është një problem vetëm shqiptar dhe se në vend nuk ka shërbime mjekësore të pambuluara por vuri theksin tek politikat e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Largime ka pasur, ka dhe do të ketë prapë nga pikëpamja e personelit mjekësor ose infermieror. Evropa po përballet me një plagë popullate dhe shumë shërbime kanë nevojë për krahë pune.
MSH duhet të reagojë shumë fuqishëm, së pari politika afatgjata për specializime. Nuk di të ketë shërbim të pambuluar në strukturat spitalore në qarqet më të mëdha të vendit”, theksoi Koja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb