Drejtuesja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemiologjike, pjesë e Task-Forcës së Ministrisë së Shëndetësisë, Eugena Tomini në një dalje publike për mediat deklaroi se në kuadër të masave të marra për koronavirusin, janë vlerësuar 3500 raste të personave që kanë pasur histori udhëtimi në vendet e prekura nga ky virus.

Sipas saj në Rinas, apo dhe në pikat e tjera hyrëse e dalëse te terrorit shqiptar, pasagjerët që hyjnë në Shqipëri po i nënshtrohen matjes së temperaturës.

Po ashtu, në emër të Ministrisë së Shëndetësisë, Tomini iu bëri thirrje qytetarëve që kanë hyrë në vendin tonë, por që nuk kanë shenja të këtij virusi, të vetëkarantinohen për një periudhë të caktuar, ndërsa ata që shfaqin simptoma dyshuese, të telefonojnë pranë numrit 127.

“Deri në këto momente që flasim, në Shqipëri nuk ka asnjë rast të koronavirusit COVID-19 në Shqipëri.
Në komunikimin e përditshëm të Task-Forcës në Ministrinë e Shëndetësisë, konfirmohet se janë testuar 17 raste të dyshuara, të cilët kanë rezultuar negative.
“Gjatë ditës së djeshme janë testuar 4 raste në laboratorin e virologjisë së ISHP, të cilët kanë rezultuar negative për COVID-19. Nga periudha e shfaqjes së epidemisë në Kinë e deri mbrëmjen e djeshme janë testuar në total 17 raste të dyshuar, të cilët kanë rezultuar negative për COVID 19. Nga totali i tyre, 8 raste kanë pasur histori udhëtimi me Kinën dhe 9 raste kanë patur histori udhëtimi me Italinë”, tha Tomini.
Aktualisht është rritur survejanca në pikat kufitare.
“Nga survjeanca e përforcuar në pikat kufitare ajrore, detare dhe tokësore rezulton se janë vlerësuar në 24 orët e fundit 3500 udhëtarë, që kanë histori udhëtimi me vendet e prekura nga shpërthimi komunitar i COVID-19. Theksojmë se aktualisht në aeroportin e Rinasit po kryhet monitorimi i temperaturës për të gjithë udhëtarët në të gjitha linjat”, tha Tomini.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon për qytetarët që kanë udhëtuar nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kane patur kontakte me persona të sëmure apo të dyshuar për COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhe 14 ditore.
Ministria e Shëndetësisë rekomandon që qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral: temperaturë, kollë, rrufë dhe vështirësi në frymëmarrje, të telefonojnë numrin unik 127 të Urgjencës Kombëtare, për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë në situata të ndryshme shëndetësore”, deklaroi Eugena Tomini, përfaqësuese e Task-Forcës.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb