Ministri i Jashtëm i Katarit tha se modelet e stadiumeve, të cilat janë pothuajse 90% të përmushura, do të jenë në përputhje me çdo ndryshim të bazuar në udhëzimin e sigurisë dhe shëndetit, si rezultat i situatës së shkaktuar nga COVID-19, dhe se konsultimet me Komitetin Organizativ për këtë janë në vazhdim.
Sheikh Mohamed bin Abdulrahman Al Thani i tha Sky News “Ne besojmë se Katari po punon fort dhe shumë ngushtë me organizata të ndryshme të kujdesit shëndetësor për t’u siguruar që të organizohet një Kupë Botërore e shëndetshme dhe e sigurt. Besojmë gjithashtu se kjo është pjesë e kurës që bota të rikthehet edhe njëherë së bashku në një mënyrë të lumtur”.
“Ka një koordinim në vazhdim me Komitetin Organizativ dhe me aktorë të tjerë të ndryshëm për t’u siguruar që të gjitha standardet e shëndetit dhe sigurisë të zbatohen në të gjitha stadiumet, kështu që është akoma diçka në vazhdim.
“Sapo gjithçka të jetë e qartë për të gjithë ne, jam i sigurt se do ta paraqisim para publikut.”
Duke marrë parasysh popullsinë e tij të vogël, Katari është prekur nga një numër jashtëzakonisht i lartë i infeksioneve me Covid-19, por ka arritur të mbajë një nivel të ulët vdekjesh.
Vendi i Gjirit, me një popullsi prej 2.8 milion, ka regjistruar 65,000 raste deri më tani, por ka patur vetëm 49 vdekje. Shteti ka vendosur një sistem të rreptë të testeve dhe gjurmimeve, system ky i kritikuar nga disa si tepër intruziv.
Emiri i Katarit mori pjesë në konferencën e së enjtes për vaksinat, e organizuar nga Boris Johnson, ku premtoi 20 milion dollarë (15.5 milion £) për Aleancën Gavi (Aleanca e Vaksinave dhe Imunizimit) – zbuloi Ministri i Jashtëm i Katarit.
I pyetur nëse mungesa e një strategjie globale për të luftuar Coronavirusin përfaqësonte një dështim global, Ministri i Jashtëm tha se një bashkëpunim më i mirë është i rëndësishëm.
“Pa bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave dhe dialogut, ne besojmë se nuk mund të përvetësojmë dhe mësojmë nga njëri-tjetri.
“Kështu që ne besojmë se përkundër diskutimit që shohim për një qasje nacionaliste, duhet një nxitje për të përmirësuar dhe rritur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të punuar së bashku”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara zgjodhën kohët e fundit, të shkurtojnë fondet për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, bazuar në përceptimet se Organizata ka dështuar të merret në mënyrë adekuate me virusin.
Sheikh Mohamed tha: “Ne besojmë se konferenca [e të enjtes] është gjithashtu një përfaqësim i angazhimeve të vendeve të ndryshme për multilateralizëm, dhe se është e rëndësishme të shikojmë reformimin e këtyre organizatave.
“Por më e rëndësishme është t’i ruajmë ato dhe të sigurohemi që po punojnë në mënyrë efektive për t’iu përgjigjur sfidave me të cilat përballen vendet tona”.
Larg COVID–19-tës, kjo javë shënon përvjetorin e tretë të bllokadës ndaj Katarit, e udhëhequr nga sauditët.
Në qershor 2017, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Egjipti drejtuan një bllokim rajonal, duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin.
Vendet bllokuese ndërprenë tregtinë, udhëtimin dhe marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Gjirit, duke akuzuar Katarin se ishte shumë afër Iranit dhe se kishte mbështetur terrorizmin për shkak të lidhjeve të tij ideologjike me organizatën islamike “Vëllazëria Myslimane”.
Katërshja anti-Katar, siç njihet, bëri thirrje gjithashtu që të mbyllet rrjeti i lajmeve të Katarit “Al Jazeera”.
“Kjo krizë është fabrikuar që në fillim dhe ende nuk kemi parë ndonjë rrëfim nga shtetet bllokuese se kjo krizë është sajuar”, tha ministri.
“Shpresojmë, që një ditë, të gjithë ta kuptojnë se ka më shumë sfida rajonale dhe globale për t’i përballuar së bashku, gjë që na bën të kemi nevojë të komunikojmë me njëri-tjetrin, të mbështesim njëri-tjetrin dhe të qëndrojmë krah njëri-tjetrit. COVID-19 është një nga ndryshimet e fundit me të cilat po përballet jo vetëm vendi ynë, por e gjithë bota”, tha ai.
Duke u përqëndruar në sigurinë në një rajon me tensione të shumta, Ministri i Jashtëm i Katarit zbuloi gjithashtu se:
• Përpjekjet e Presidentit Amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund bllokadës së udhëhequr nga sauditët ishin “të dobishme”, por ende nuk është gjetur një zgjidhje.
• Irani është një “mik” i Katarit dhe se qeveria e tij mund të jetë në gjendje të ndërmjetësojë një marrëveshje midis Teheranit dhe Uashingtonit nëse ka vullnet nga të dy palët.
• Iranit i është thënë nga Katari që t’i japë fund çdo mbështetjeje për Presidentin Asad në Siri.
• Plani i Izraelit për të aneksuar pjesë të Bregut Perëndimor duke imponuar në të sovranitetin Izraelit së afërmi në korrik, do të ishte “plumbi i fundit” ndaj procesit të paqes izraelito-palestineze.
Në një sërë fushash, Katari e ka pozicionuar veten si një ndërmjetës të mundshëm rajonal.
Ai pret bazën më të madhe ajrore rajonale amerikane në Al Udeid, e megjithatë mban lidhje të ngushta me Iranin.
Kryeqyteti i Katarit Doha, u zgjodh gjithashtu si vendi për një zyrë për Talibanët, në përpjekje për të ndërmjetësuar paqen midis Talibanëve, Qeverisë Afgane dhe Shteteve të Bashkuara.
Dhe krahas sigurimit të mbështetjes ideologjike, politike dhe financiare për palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor, Katari mban lidhje tregtare me Izraelin.
Në lidhje me planet e Izraelit për aneksim të Bregut Perëndimor, Sheik Mohamed tha: “Ne shpresojmë që këto kërcënime për marrjen e vendimit të aneksimit të mos jenë reale, sepse besojmë se kjo do të përfaqësojë plumbin e fundit në procesin e paqes midis izraelitëve dhe palestinezëve. Ne duam që ata të kthehen në tryezë dhe të angazhohen drejtpërdrejt e ballë për ballë njërit-tjetrit”.
“Fatkeqësisht, sjellja e Izraelit na tregoi vit pas viti se ata nuk ishin seriozë për paqen, por thjesht përpiqen të krijojnë marrëdhënie me vendet arabe, duke lënë pas dore të drejtat e popullit palestinez”.
Për tensionet rajonale me Iranin, Ministri i Jashtëm i Katarit tha se situata mbetet “shumë e rrezikshme” pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassim Soleimani nga një dron amerikan.
“Ishte një periudhë ngërçi dhe e kaluam atë në mënyrë të sigurt. Por ende jemi në një situatë shumë të rrezikshme dhe duam të shohim një zgjidhje përfundimtare midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, dhe midis Iranit dhe vendeve të tjera [të Gjirit]”, tha ai.
“Nëse do të kërkohemi dhe pranohemi nga të dy palët, ne jemi të gatshëm të japim ndihmën tonë. Jemi të gatshëm të punojmë së bashku edhe me vendet e tjera që t’i ndihmojmë ata në uljen e përshkallëzimit dhe qetësimit të situatës”.
Në lidhje me marrëdhëniet midis Katarit dhe Iranit, ai tha: “Në kohë nevoje, ju duhet që miqtë tuaj të qëndrojnë me ju, dhe Irani qëndroi me ne dhe me popullin e Katarit [gjatë bllokadës së udhëhequr nga sauditët].
“Dhe kjo, përkundër mosmarrëveshjeve politike që kemi me Iranin, dhe kemi prej një kohe të gjatë mosmarrëveshje për çështjet në: Siri, Irak, Jemen.
“Nëse shikoni politikat e Iranit dhe Katarit, ato ka qenë totalisht ndryshe”.
Muajin e kaluar, burime në Izrael pretenduan se Irani po ul numrin e forcave të tij në Siri dhe po pastron bazat, duke zvogëluar ndikimin e tij në vend dhe mbështetjen për Presidentin Sirian Bashar al Asad.
I pyetur për atë pretendim, Sheikh Mohamed la të kuptohet për ndryshime në terren: “Ne kemi biseduar me ta [Iranin] në mënyrë që të sigurohemi se nuk po e mbështesin atë [Presidentin Sirian Asad]. Shpresojmë që ky progres, këto hapa në terren, do të ndihmojnë në sjelljen e drejtësisë tek populli sirian dhe ndjekjen penale ndaj kriminelit të vërtetë pas tij, i cili është presidenti aktual i Sirisë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: