Qyteti amerikan San Francisco ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme mes frikës në rritje për shpërthimin e koronavirusit, deklaroi të martën kryebashkiakja.

Në një deklaratë, kryetarja e bashkisë London Breed tha se aktualisht nuk kishte raste të konfirmuara të COVID-19 në qytetin verior të Kalifornisë, dhe se masa ishte ndërmarrë si hap paraprak.

Megjithatë, ka tetë raste të konfirmuara në shtetin e Kalifornisë. “Megjithëse ende ka zero raste të konfirmuara tek banorët e San Franciscos, imazhi global po ndryshon me shpejtësi, dhe ne kemi nevojë për të rritur gatishmërinë”, tha ajo.

“Ne e shohim virusin që përhapet në pjesë të reja të botës çdo ditë, dhe jemi duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për të mbrojtur qytetarët e San Franciscos nga dëmtimi”, u shpreh London Breed.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme lejon zyrtarët e qytetit të mbledhin burime dhe personel për një reagim të shpejtë kundër çdo rasti të mundshëm të koronavirusit.

SHBA është midis më shumë se 30 vendeve me raste të konfirmuara të COVID-19.

Në vend janë raportuar gjithsej 53 raste të konfirmuara; 40 prej të cilëve ishin pasagjerë në anijen Diamond Princess që po udhëtonte në Azi, tre ishin riatdhesuar nga Kina, dhe 14 ishin raste me origjinë brenda kufijve amerikanë.

Nga 14 rastet në SHBA, tetë janë në Kaliforni, dy në Illinois, dhe nga një në Washington, Massachusetts, Wisconsin dhe Arizona.

COVID-19 ka marrë rreth 2.800 jetë në të gjithë botën me më shumë se 2.700 vdekje vetëm në Kinë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli shpërthimin emergjencë ndërkombëtare shëndetësore duke shtuar se niveli global i rrezikut mbetet i lartë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb