Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili me anë të një deklarate për mediat, u shpreh se  duhet një strategji e re për të përballuar fluksin e pandemisë së koronavirusit.

Vasili theksoi se duhet decentralizimi i cështjes, pra që pacientët të mund të kurohen në shtëpitë e tyre, në vendin nga janë, nga ana e mjekeve te familjes, brenda protokolleve të caktuara.

Postimi i Petrit Vasilit:

Deklarata e Nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili

Të nderuar qytetarë dhe qytetare!

Pa asnjë diskutim pandemia mbetet një nga çështjet më sensitive, një nga ato çështje për të cilat mijëra shqiptarë vazhdojnë të jenë të shqetësuar, vazhdon të mbetet një çështje e cila streson opinionin publik po dhe nuklin familjar shqiptar ku të gjithë jetojnë me një lloj ankthi lidhur me pandeminë, prekjen nga ajo, për të ardhmen e kësaj çështje dhe si zhvillohen ngjarjet.

Sot ministrja e shëndetësisë, deklaroi publikisht që një periudhë e vështirë na pret. Mbas një kohe kaq të gjatë që ne bashkëjetojmë me këtë pandemi, për fat të keq bashkëjetojmë, pasi nuk duhet të bashkëjetojmë por duhet të përballemi e duhet te fitojmë betejën. Megjithatë një deklarim i tillë do të kërkonte qartazi përpara shqiptarëve të thuheshin disa gjëra të cilat nuk kanë të bëjnë as me polemikën dhe as me çështje tjetër por me transparencën e qartësinë që i duhet çdo qytetari që të dijë, ç’po bën e ç’duhet të bëjë , e s’po bëjnë ata që kanë detyrën të organizojnë përballjen me pandeminë nga ana tjetër.

Në radhë të parë në një periudhë në të cilën ndodhemi ku dikur piku arrinte 27 raste muaj më parë dhe në vend të pikut sot kemi 5-fishimin po askush nuk thotë jemi në pikun e pandemisë, jemi në ngjitje, po shkojmë drejt platosë dhe ku jemi me daljen nga pandemia. Të gjitha këto mesazhe të qarta qytetarët i presin.

Njëherazi qytetarët presin që të dëgjojnë nga qeveria, në kuptimin  jo thjesht polemik të fjalës po në funksion të së vërtetës. Ku nuk funksionoi strategjia e zgjedhur ? Ku duhej vepruar  më shpejt e më mirë?  Me një sens të fortë autokritik, e cila nuk ka të bëjë fare as me kapitalin politik të qeverisë dhe me asgjë tjetër por ka të bëjë me jetë njerëzish.

Në këtë mes ky lloj sensi autokritik dhe një riformulim i strategjisë, do të bënte të besueshëm çdo mesazh dhe çdo masë që sugjerohet nga qeveria do i bënte qytetarët më solidarë dhe më lehtesues ndaj këtyre këshillave pasi është fakt që qytetarëve iu është thënë me të drejtë, mbani maskat, lani duart dhe mbani kufizimin fizik.

Po qytetarët kanë dëgjuar që dhe maskat janë të panevojshme nga kryeministri. Kane dëgjuar që dhe testimet nuk janë të nevojshme prej tij. Pra ka pasur mesazhe kontradiktore të cilat kanë ulur besimin e sugjerimeve të qeverisë ndaj atyre që iu sugjerojnë qytetarëve.

Sot është momenti për një rikonceptim tërësor të situatës së pandemisë. Qeveria nuk mund të thotë, na presin periudha të vështira. Pyetja e çdo qytetari është deri kur?

Cili është fundi? Pasi përballë në krahë, anash, kemi shtete të mëdha të cilat kanë hyrë dhe kanë dalë nga pandemia. Kanë arritur me një sistem masash të menduara mirë ta përballojnë atë, ta minimizojnë atë e ti kthehen normalitetit të tyre jetik. Italia fqinje është një shembull i jashtëzakonshëm e për ta konkretizuar, Italia fqinje për shkak të kësaj situate në gjithë gushtin  e saj turistik, ka të mbushura plot, pra të prenotuara të gjitha strukturat turistike. Pra i kthehet normalitetit, njerëzit çlirohen nga ankthi i sëmundjes, por njëherazi rifillojnë jetën e tyre.

Pra një riorientim i strategjisë. Duke pranuar qartë çfarë nuk funksionoi dhe çfarë duhet ndryshuar në themel, është një mesazh shumë i fortë në radhë të parë dhe për armatën e madhe të mjekëve dhe infermierëve dhe gjithë personelit tjetër që shërben në sistemin  shëndetësor, te cilët sigurisht janë sakrifikuar, te gjitha përcaktimet e tyre si heronj, si njerëz që martirizohen në krye të detyrës janë të gjitha të merituara.

Por se një ushtri kaq e madhe e cila nuk organizohet mirë e që nuk sheh rezultate, natyrshëm lodhet ezaurohet dhe demotivohet. Po a mundet që t’ja lejojmë luksin vetes që përballë një beteje kaq të madhe të kemi një armatë të demotivuar, të lodhur të ezauruar? Kurrën e kurrës, ndryshe lufta do të ishte e humbur. Atëherë lidhur me këtë çështje, disa çështje  madhore duhen rishikuar në themel.

E në radhë të parë, rajonalizimi dhe decentralizimi duhet të ishte dhe duhet të jetë kryefjala e çështjes. Historia e grumbullimit, dhënies së mesazheve propagandistike, jo profesionale tek spitali  infektiv apo te spitali covid-2 dhe betejës që zhvillohet atje, nuk ndihmon në përballimin e një beteje e cila ka një përmasë kombëtare. Pra një përmasë shumë të shtrirë në territor. Shifrat e thonë atë, shifrat që arrihen të kapen dhe duhet të jemi të sinqertë me qytetarët dhe mjaft njerëz të tjerë që nuk diagnostikohen, të cilët e kalojnë pa e ditur dhe që bëhen burim infeksioni për përhapjen e  sëmundjes.

Pra decentralizimi, ngritja e strukturave në nivel lokal që trajtojnë atje Covid  në bazë të protokolleve të unifikuara duke përcaktuar njësitë dhe duke dekoncentruar përqendrimin e jashtëzakonshëm në spitalin e Covid në Tiranë, është një strategji e mençur e cila mban problemin sa më afër  zgjidhjes, sa më afër banesës dhe qytetarit ku ndodhet po njëkohësisht rishpërndan ngarkesën në të gjithë territorin pa krijuar një përqendrim i cili faktet kanë treguar që nuk ka rezultuar i suksesshëm dhe përballues për çështjen.

Ripërcaktim në themel i mjekut të familjes, ua them sërish, vija e parë e zjarrit nuk është vija fundore, pra nuk është spitali infektiv. Spitali infektiv, spitali Covid janë vija fundore. Vija primare, kontakti i parë është mjeku i familjes. I gjithë shërbimi i mjekësisë familjare, i mjekut të përgjithshëm, duhet rindërtuar i gjithi, duhen dhënë kompetenca të plota, duhet të jenë ata që përballojnë e marrin në duar situatën e tyre.

Pra të heqim dorë nga 127 që u promovua me forcë, pasi atë kontakt që bëjnë mijëra njerëz te kualifikuar siç janë mjekët e familjes por dhje infermieri i një qendre shëndetësore të lagjes së një fshati, nuk e bën dot 127 pasi nuk ka asnjë mundësi objektive. 127  do kryejë ato detyra të rutinës së përditshme, të urgjencës mjekësore që janë të sajat dhe kaq.

Pandemitë, epidemitë e mëdha kërkojnë një ndërtim dhe një funksionim kapilar. Këtu strategjia duhet rikonceptuar sërish, pa vullnetarizmi të sëmura dhe pa këshilla propagandistike që nuk vlejnë asnjë lek. Njëherazi dhe për spitalet që kemi në Tiranë. Deklarohet qe do të presim sa të shterohet Covid dhe spitali Covid 2 pa ti mbushen të gjitha ato strukturat e pastaj do të hapim Covid 3.

Çdo specialist pyet: Pse duhet të shkojë në kufijtë e shterimit të energjive, të një stresi të jashtëzakonshëm mjekësor e profesional dhe vetë personeli, deri në pamundësi organizative për të përballuar  të sëmurë të rëndë. Atëherë e para këshillë dhe sugjerim është patjetër të hapet Covid-3. Nuk ka pse të kemi 100% të kapacitetit në të gjitha këto spitale. Dhe me një kapacitet më të ulët, më të decentralizuar për të aktivizuar dhe forca të tjera mjekësore që krijojnë dhe kualitet pune dhe mbajnë të tërë armatën të mundshme e të freskët, për të shërbyer në mënyrë të përditshme me gjithë stresin e saj.

Një armatë e ezauruar nuk është mundësi më shumë suksesi por është mundësi më e madhe mossuksesi . Trinomi testim-gjurmim-trajtim, patjetër që duhet të rikonceptohet dhe në çështjen e trajtimit qoftë protokollet, qoftë sigurimi i tërë barrës me ilaçe dhe me barna po themi të domosdoshme, të konceptohet  dhe në mënyrë të veçantë diagnoza radiologjike, të udhëheqë trajtimin edhe duke i paraprirë në shumë raste vështirësive që ka testimi apo arritjes së bërjes së tij në kohë, sepse në fund të fundit, kapim në kohë e shpëtojmë jetë njerëzish. Njëherazi të gjitha mesazhet, duhen rikonceptuar mesazhet që do i thuhen publikut.

Është e qartë që mesazhi përdor maskën, laj duart, mbaj distancën është një mesazh që  përsëritet pa u lodhur. Por të gjithë duhet të kuptojnë që duhen rikonceptuar mesazhet në një formë të re, në një mënyrë të re. Ripërsëritja e të njëjtit mesazh, i pakonceptuar gjithë kontekstin e masave të tjera rezulton i mërzitshëm, i pa besueshëm dhe nuk gjen solidaritet midis qytetarëve dhe mesazhit. Ndaj si i tillë mund të quhet një mesazh i shteruar, i ezauruar që kërkon forma të reja komunikimi, që ngjallin besim. Pasi e them sërish, mesazhi i përsëritur, masa të ndjekura dhe mos masja e rezultateve por shumëfishimi i rezultateve, bën që të humbasë bashkëpunimi me qytetarët. E këtu duhen mesazhe të mirëfillta të edukimit shëndetësor, të hartuara në mënyrë profesionale dhe jo mesazhe propagandistike.

Kam një thirrje të drejtë për drejtë drejt qeverisë, përfshirë dhe kryeministrin, ministren dhe të gjithë të tjerët. Për fat të keq në disa raste përfshij këtu edhe kolegë mjekësore, të cilët të trysnuar nga qeveria bëjnë të njëjtën gjë. Nuk ka nevojë të nderuar drejtues të shtetit të reagoni me arrogancë, me agresivitet dhe me një nervozizëm të jashtëzakonshëm, sikur përballimi i pandemisë është dita që ju merrni një bonus të madh politik, apo humbisni një bonus politik.

Që ju merrni duartrokitje apo merrni një shuplakë në faqe. Pandemia ka të bëjë me të sëmurë dhe me jetë njerëzish. Të gjithë sugjerimet, propozimet, thellësisht profesionale që ju bëjmë nga studiot televizive, nga foltoret e partive tona, në emër të eksperiencës profesionale. Jam këtu në radhë të parë mbi të gjitha si profesionist, e shumë më prapa si drejtues politik. Është pikërisht që ta përballojmë e ta vëmë përpara këtë pandemi, në mënyrë që mos tu japim mesazhe pasigurie njerëzve, që më e keqja po vjen, s’kemi bërë asgjë, se kemi muaj e muaj të tërë që jemi të mbërthyer në pandemi. Ndaj çdo lloj propozimi, konkret e profesional që vjen nga specialistë, qytetarë, nga njerëz të opozitës, por që janë specialistë të fushës, dëgjojini me dashamirësi. Reagoni me mirësi, reagoni me kokë të ulur, nuk jeni ju pronarët e jetës së njerëzve. Çdo arrogancë e juaja, çdo vesh i shurdhër i juaji, çdo punë propagandistike e ditës, do të thotë humbje jetësh njerëzish, apo invalidizim të të tjerëve, të cilët kalojnë forma të rënda.

Ndaj modestisht, gjithçka duhet rikonceptuar, për të rritur besimin dhe bashkëpunimin e njerëzve, në mënyrë që mos të ndiqet nga pas pandemia, por të jemi në përballje me të. Shqiptarët nuk janë të detyruar të bashkëjetojnë me negativitetin, por duhet të kenë të drejtën si të gjithë europianët e tjerë të çlirohen nga një e keqe, pandemike në këtë rast, dhe të çlirohen sa më parë që të jetë e mundur. Faleminderit të gjithëve!

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb