Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu në një konferencë për mediat deklaroi se policia ka ngritur gjithsej 66 pika kontrolli në qytetet më të rëndësishme të vendit, nga Shkodra në veri, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier e deri në Lushnjë e Vlorë.

Veliu theksoi se të gjithë ata persona që kanë ardhur nga zonat e prekura nga koronavirusi duhet të vetë-karantinohen, pasi në të kundërt do të marrin gjobë prej 5000 euro.

“Që prej ditës së djeshme, Policia e Shtetit dhe ushtria janë duke kryer kontrolle në qytetet e Tiranës, Lezhës, Lushnjës, Fierit, Shkodrës, Vlorës etj. Kontrollet e policisë janë bërë në 66 pika. Ne bëjmë jo vetëm kontrolle të qytetarëve që vijnë nga jashtë, por regjistrojmë numrat dhe iu tërheqim vëmendjen.

Nëse këta shtetas nuk bëjnë vetë-karantinimin, do të gjobiten 5000 euro. Nëse nuk iu përmbahen rregullave, ata identifikohen lehtë, pasi kemi sistemin e gatshëm. Do kontrollohet në cdo qytet që të jetë. Të gjithë qytetarët të respektojnë vetë-karantinimin”, tha Veliu.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb