Pastrimi i parave, kontrabanda, evazioni fiskal dhe madje dhe cenimi i sigurisë ushqimore janë format më të përhapura të krimeve në ekonomi. Ky është konkluzioni i raportit të SHISH në lidhje me korrupsionin në sistemin e drejtësisë, por edhe për gjyqtarët që janë në proces vettingu.

Sipas raportit, korrupsioni ka vijuar në sistemin e drejtësisë, por edhe në disa sektorë të administratës shtetërore, ku konstatohet se palët ndërveprojnë të nxitura nga interesi i përfitimit të përbashkët.

“Në sistemin e drejtësisë, punonjës të veçantë (prokurori/gjykata), janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, të shfaqur në forma si: ushtrim i ndikimit të paligjshëm dhe ndërveprimit korruptiv, me qëllim lehtësimin e pozitës së të pandehurit, nëpërmjet ndryshimit të masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie ose duke aplikuar dhënien e dënimit alternativ”, thuhet ndër të tjera në raport.

Në raport thuhet gjithashtu se ka elementë të veçantë të sistemit të drejtësisë, të cilët janë në proces vettingu dhe po e shfrytëzojnë këtë periudhë në funksion të përfitimit personal.

Raporti i SHISH për impaktin mbi korrupsionin
Edhe gjatë kësaj periudhe, korrupsioni ka vijuar në sistemin e drejtësisë, por edhe në disa sektorë të administratës shtetërore, ku konstatohet se palët ndërveprojnë të nxitura nga interesi i përfitimit të përbashkët.

Në sistemin e drejtësisë, punonjës të veçantë (prokurori/gjykata), janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, të shfaqur në forma si: ushtrim i ndikimit të paligjshëm dhe ndërveprimit korruptiv, me qëllim lehtësimin e pozitës së të pandehurit, nëpërmjet ndryshimit të masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie ose duke aplikuar dhënien e dënimit alternativ.

Elementë të veçantë të këtij sistemi, të cilët janë në proces verifikimi të pastërtisë së figurës në kuadër të procesit të Vettingut, po e shfrytëzojnë këtë periudhë në funksion të përfitimit personal, duke shpërdoruar detyrën kundrejt ndërveprimit korruptiv, nëpërmjet dhënies së vendimeve gjyqësore në kundërshtim me parashikimet e akteve ligjore në fuqi.

Pastrimi i produktit të veprës penale, kontrabanda e mallrave të akcizës, evazioni fiskal dhe cenimi i sigurisë ushqimore, evidentohen si format më të përhapura të krimeve në ekonomi.

SHISH-i ndërvepron me agjencitë ligjzbatuese në funksion të bashkëpunimit ndërinstitucional, si pjesë e Komitetit Kombëtar të Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën Kundër Krimit të Organizuar, lidhur me zbatimin e Aktit Normativ Nr. 1, datë 31.01.2020, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, si dhe në funksion të dhënies së mbështetjes informative për Operacionin Forca e Ligjit (OFL).

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb