TIRANË

Kryeministri Edi Rama e sheh dixhitalizimin e sistemit si një zgjidhje për korrupsionin. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarë në Berat, Rama u pyet nëse ka një plan për të luftuar korrupsionin dhe pranoi që nëse vendi shihet me sy kritik ka një problem të madh me korrupsionin. Por, sipas tij, nëse vendoset në perspektivë se nga u nis, ka arsye për të besuar se vendi është në drejtimin e duhur.

“Pyetje që meriton një cikël bisedash. Korrupsioni është një alternativë e një shërbimi të munguar.
Aty ku mungon një shërbim, aty ku një shërbim i mohohet apo i bëhet i vështirë qytetarit, aty korrupsioni fiton terren dhe kthehet në një alternativë. Lufta kundër korrupsionit është luftë për të modernizuar sistemet tona dhe të shtetit dhe të shërbimit. Patjetër, nëse e shohim sot me sy kritik vendin, ne kemi një problem të madh me korrupsionin jo të vogël. Por nëse vendosim një perspektivë mes se nga u nisëm, kemi arsye që të besojmë që jemi në drejtimin e duhur dhe që thjesht duhet të vazhdojmë punën”, tha Rama.

Ai deklaroi më tej se me aksisin online të mbi 900 shërbimeve janë eliminuar miliona mundësi ryshfeti dhe ndaj do të vazhdohet në këtë drejtim.
“Boll t’ju them që me revolucionin dixhital që ne po bëjmmë, duke kaluar një pjesë të shërbimeve online dhe duke e hequr kontaktin fizik mes qytetarit dhe atij tek sporteli, se problemi më i madh në një vend si i yni është ardhja e korrupsionit shumë afër çdo individi në formën e ryshfetit për të marrë një dokument të zakonshëm, një akses më të shpejtë në një radhë dhe kështu me radhë dhe po të shohim që ne e nisëm me 3 shërbime dixhitale në vitin 2013 dhe sot jemi duke finalizuar punën për 900 e kusur shërbime dhe po të shohim që janë miliona shërbime që janë dhënë online, pra faktikisht janë miliona kontakte që janë eliminuar, dhe miliona mundësi ryshfeti që janë eliminuar. Kjo do të thotë që ne do vazhdojmë në këtë drejtim. Patjetër që në çfarë është e mundshme të shërbehet online, kjo çështje është e zgjidhur, mjafton që të realizohet. Pra, nëse kemi probleme me hipotekat dhe janë probleme në ato zona që ende hartat dhe pronat nuk janë të mirëregjistruara dhe të mirëfiltruara dhe për këtë arsye nuk e merr dot akoma shërbimin online, një pjesë tjetër jo e vogël sot e gjeneron në kompjuter, nuk ka nevojë fare të shkosh në hipotekë.
Por është pjesa tjetër dhe për këtë pjesë tjetër ne jemi të vetëdijshëm që është problem”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb