Në studion e emisionit “Open” në News24 gjatë bisedës në lidhje me çështjen e ish-agjentit të FBI-së McGonigal, gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar se kryeministri Rama nuk rrezikohet nga drejtësia e SHBA.

Lala tha se Rama mund të përballet me përgjegjësi penale vetëm në rast të hapjes së një hetimi nga Prokuroria shqiptare, e cila sipas saj duhet të hetojë se kush ka paguar paratë për McGonigal gjatë vizitave të tij në Shqipëri dhe se kë ka takuar tjetër përveç zyrtarëve që tashmë dihen.

Ajo shtoi më tej se drejtësia në vend ka shumë indicie se ku mund të bazohet, duke përmendur se mund të merret dëshmia e Agron Nezës në SHBA dhe ajo e Dorian Duçkës ndër të tjera.

Nga ana tjetër gazetari Besar Likmeta deklaroi se ajo që i bën përshtypje në këtë rast është se si një grup zyrtarësh shqiptarë janë bërë “matufë” nga McGonigal, i cili sipas tij i ka përdorur të gjithë personat për interesat e tij financiare duke i gënjyer.

Lala:

Deri tani SPAK nuk ka pranuar nisjen e një hetimi. Ne kujtojmë raste të tjera ku prokuroria ka nisur hetime pas shkrimeve në revista apo gazeta. Unë e kam lexuar aktakuzën dhe Rama përmendet 14 herë. Kjo histori nuk është amerikane por i përket prokurorisë shqiptare. Duhet të hetohet se kush pagoi paratë për McGonigal, nga dolën ato. Kë takoi ai që ne nuk e dimë, përveç Ramës, Gjiknurit dhe 2 kryebashkiakëve. Sot Rama ka një detyrim të madh moral dhe politik, të dalë e të sqarojë këtë çështje. Që kur është hapur historia e Mother Jones, një në 5 fjalët e tij kanë qenë rublat ruse dhe sot i del emri në një histori që ka nisur nga rublat. Kush i pagoi paratë që erdhi McGonigal në Shqipëri? Nëse është vetëm 1 lek është rast i pastër korruptiv. Momenti i dytë është në lidhje me koncesionin e kompanisë së naftës. Agron Nezës mund t’i merret dëshmia që ka dhënë me letër porosi, mund të merret dëshmia e Dorian Duçkës.

Likmeta:

Ajo që të bën përshtypje në këtë rast është se një grup politikanësh janë bërë matufë nga ky njeri që ka qenë gati të gënjente këdo që ishte gati t’i jepte para. Kjo të jep një ide të qartë për McGonigal. Pyetja është se çfarë shtyn zyrtarët shqiptarë të përfshihen në raste të tilla. Tani që flasim ne ka përpjekje për të njollosur Edi Ramën në SHBA. Nuk është e vështirë të kuptosh se si një gazetë në Amerikë interesohet për narrativat që shtyn opozita shqiptare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: