Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho nga foltorja e Kuvendit ka reaguar për korrupsionin në Dogana, fakte të denoncuara me zë dhe figurë nga News24.

Spaho ironizoi qeverinë duke shtuar se mirëqeverisja tregohej qartë se si veprohej në doganën e Durrësit, ku qëllim është ryshfeti.

“E kam ndjekur ministren e Financave në komisione dhe sot, është për t’u çuditur nga gjuha reklamative që përdor. Kjo është të flasësh si me qesim dhe t’i paraqesësh të gjitha si arritje të qeverisë. Të pretendosh sot në kulmin e krizës ekonomike që është rritur konsumi i popullsisë, vetëm një mendje si kjo e ministres mund t’ua deklarojë qytetarëve. Janë rritur pagat 7% në sektorin publik dhe 9 % në sektorin privat, për këto pretendime thuhet; pyet INSTAT. Po Instatin e partisë. Kur jemi në kushtet e kësaj mrekullie, si në kohën e diktaturës ku paraqiteshim si shembulli më mirë i botës, pse ikin njerëzit? Pagat rriten, inflacioni është ulur. pse kanë ikur në Angli vetëm 13 mijë vetë këtë vit?! Edhe mburremi dhe themi që rritja e të ardhurave 45 mld lekë përgjatë vitit që thuhet se ka ardhur nga puna e mirë e qeverisë. Punën e mirë të qeverisë e pamë te filmimet në Doganën e Durrësit. Se si punohet dhe merret ryshfet. S’ka asnjë shqetësim për të mbledhur taksat nga Doganat dhe Tatimet. Vëmendja është te korrupsioni. Më thoni një vit që nga 2013 që të jenë mbledhur paratë më shumë se sa janë parashikuar. Këto para janë mbledhur në buxhet të shtetit pothuajse nga rritja e fëmijëve.”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb