LAÇ

Një operacion është finalizuar nga policia e Laçit ku janë arrestuar tre persona dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë, një prej të cilëve inspektor i kontrollit teknik në Laç. Personat e arrestuar dhe ata në kërkim akuzohen se në pikën e kolaudimit në Laç kalonin mjete jashtë standarteve teknike kundrejt ryshfetit.

Specialistët e Seksionit kundër krimit Ekonomiko – Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, nga informacionet e siguruara në rrugë policore dhe mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm se tek pika e kolaudimit në Laç kaloheshin makina jashtë standardeve teknike kundrejt ryshfetit, në vitin 2018 kanë referuar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin materiale hetimore.

Mbi bazën e atyre materialeve, Prokuroria ka regjistruar proçedim penal për ndjekje të mëtejshme të këtij rasti, i cili është finalizuar sot me operacionin “Kolaudimi” ku janë ekzekutuar urdhrat e masave të sigurisë në ngarkim të shtetasve: S.K., 22 vjeç, banues në Mamurras, me masë sigurimi “Arrest me burg” për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; M.K., 50 vjeç, banues në Mamurras, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; I.D., 49 vjeç, banues në Lezhë, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”

U shpallën në kërkim dhe punohet për kapjen e tyre: D.A., 47 vjeç, banues në Laç, me masë sigurimi “Arrest me burg” për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; Gj.A., 33 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë Inspektor i Kontrollit Teknik tek SGS Laç, me masë sigurimi “Arrest me burg” për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Masat e sigurisë janë dhënë nga Gjykata e Shkallës Parë Kurbin datë 16.04.2019, ndaj këtyre shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në cilësinë e proves materiale u sekuestrua një mjet jashtë standarteve teknike, i kaluar në kolaudim pa probleme dyshuar kundrejt ryshfetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb