Kjo është një prej 32 oficerëve të policisë në pikën kufitare të Morinës, e cila tashmë është arrestuar nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. News 24 ka siguruar një foto të shkëputur nga pamjet që filmonte kamera e sigurisë, të cilën Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (ish-SHÇBA-ja) e kishte vendosur sipër kondicionerit të kabinës.

Në foto shihet oficerja e policisë e cila numëron fshehurazi paratë e ryshfetit. Sipas SPAK oficerët e korruptuar merrnin nga 350 deri në 400 euro për paligjshmëritë që lejonin, siç ishte rasti i shmangies së kontrollit te vijës së dytë, ku drejtuesi i mjetit la 200 euro ryshfet për një kalim. Të tilla prova SPAK kishte siguruar mjaft.

Plot 313 episode të dokumentuara me zë dhe video disponon Prokuroria e Posaçme, mbi të cilat ngriti akuzat për 32 oficerët e policisë për veprime korruptive. Gjatë hetimit 2-vjeçar SPAK kishte siguruar të dhëna se oficerët e policisë i përfitonin paratë nga persona që kalonin mallra kontrabandë, nga trafikantë automjetesh, nga persona që kishin probleme ligjore ne vendet e BE apo të tjerë qe nuk regjistroheshin ne sistemin TIMS.

Hetimi ka dokumentuar rastet me te renda që janë ato te kalimit të mauneve me mallra kontrabande të cilat i shmangeshin pagesës së doganës duke penalizuar në këtë mënyrë bizneset e rregullta. GJKKO vendosi të lerë në fuqi kërkesën e SPAK për 32 oficerët e policisë. Kështu 15 oficerë u lanë në arrest me burg, 12 policë në arrest shtëpie dhe 4 u pezulluan nga detyra. Të 32 oficerët e policisë janë zëvendësuar me punonjës të tjerë të cilët janë komanduar në detyrë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb