Ish-deputeti i Partisë socialiste Arben Malaj gjatë një interviste për rubrikën “Opinion” me gazetaren Ola Bruko, u shpreh se korrupsioni në vendin tonë mbetet element shumë shqetësues.

Ai tha se prej vitit 2012 deri në 2021, Shqipëria ka një ngecje në këtë aspekt, duke shtuar se një nga shqetësimet kryesore është se shteti duhet të funksionojë në mënyrë ligjore dhe mos cënohet nga rotacionet politike.

“Në 2021, indeksi i korrupsionit ishte 33 nga 100, gati 1/3 e asaj që duhej, dhe Shqipëria ishte në vendin 110 nga 180 vende në botë. Ne akoma nuk kemi të ndërgjegjësuar për pasojat e mëdha që korrupsioni krijon në jetën e një vendi, ky është problemi më i madh. Korruptimi i elitave është pjesë e gjeostrategjisë që vendet e ndryshme përdorin ndaj vendeve të dobëta për të pasur përfitime në disa aspekte. Korrupsioni duhet parë për pasojat që sjell. Ka ndikim edhe në politikë, sepse ushqen kapjen e shtetit dhe e bën qeverisje më të vështirë.

Klasifikimi që ne marrim, është që kemi një ngecje në luftën kundër korrupsionit sepse kemi nivele të larta dhe i shtrirë në sektor të shërbimeve publike. Për shkak të krizës së sistemit të drejtësisë, qeveriset vetëm me një nga tre kolonat ku mbështetet një qeverisje demokratike, pra vetëm në kolonën e ekzekutivit. Nga viti 2012 deri në 2021, Shqipëria rezulton në ngërç. Një nga shqetësimet kryesore është se shteti duhet të funksionojë në mënyrë ligjore dhe mos cënohet nga rotacionet politike. Shihet që para zgjedhjeve ka rritje të korrupsionit’, u shpreh ai.

Ndërkohë i pyetur për projektin e Portit të Durrësit dhe akuzat e opozitës, ai tha se në raste që veprohet në përzgjedhje individuale, risku për korrupsion është i lartë. Sipas tij duhet  të ketë transparencë më të madhe, sidomos kur bëhet fjalë për projekte që janë shumë të kushtueshme.

“Në raste që veprohet në përzgjedhje individuale, risku për korrupsion është i lartë. Duke marrë jo vetëm portin e Durrësit, por dhe ato të tjera, t’i përfshish në strategji kombëtare për turizmin, duket diçka pozitive, por në kushtet si përzgjidhen fituesit apo si ndahen të ardhurat, kërkon transparencë më të madhe. Mënyra sesi u negociua, pasi ka kaluar në Parlament, tani mbetet sfida për afatet dhe respektimin e kapitaleve në këtë projekt.

Transparenca duhet të jetë maksimale. Opozita të përdorë instrumentet e saj. Ajo mund të përdor edhe instrumentet e kontrollit parlamentar, e gëzon këtë të drejtë, pra të ketë të gjithë dokumentacionin. Ka ardhur momenti që meqë kemi kaq PPP, dhe marrëveshje ku pushteti angazhohet në marrveshje të kushtueshme, do të jetë e domosdoshme që në raportimin vjetor të bëhet një analizë publike për cdo marrëveshje. Pra të bëhet studim i përgjithshëm i auditimit si kanë ecur marrëveshjet. Duhet të ruhemi nga pasojat e rënda që vijnë për taksapaguesit kur projektet nuk funksionojnë siç duhet”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb