Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, vlerësoi si realist konstatimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë se korrupsioni është problemi kryesor që pengon investimet e huaja në Shqipëri. Basha reagoi në “Twitter”, duke vënë në dukje pasojat e rënda të korrupsionit për të ardhmen e vendit.

“Dhoma Amerikane e Tregtisë ka konstatuar (pa asnjë surprizë) se korrupsioni është problemi kryesor që e lë pas Shqipërinë në fushën e investimeve të huaja. Është korrupsioni në nivelet më të larta që në mënyrë të pafalshme po i vjedh të ardhmen vendit tonë”, shkruan Basha.

Kreu i opozitës bën përgjegjëse qeverinë për pasojat e rënda të korrupsionit.

“I njëjti institucion i respektuar vlerësoi po sot potencialin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë për të thithur investime. Por ky potencial për zhvillim po shkatërrohet nga një qeveri që në gjenezën e saj ka kapjen e shtetit dhe korrupsionin”, shton më tej ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb