Analisti Mentor Nazarko i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” foli për marrëveshjen e nënshkruar sot mes Kosovës dhe Serbisë, me firmën e presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Nazarko tha se kjo marrëveshje i hap rrugën Kosovës që të pranohet në OKB, megjithë mënjanimin një vjeçar të saj.

“Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është me interes kombëtar shqiptar, por dhe interes global si duket nga fakti që çështja e Kosovës po trajtohet në Shtëpinë e Bardhë. Madje për të përqeshur kritikët, fakti që ajo përfshihet në fushatë elektorale në Amerikë tregon se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka marrë dimensione amerikane dhe globale. Presidenti Trump synon të mbyllë një konflikt i cili nisi me demokratët e Presidentit Klinton 20 vjet më parë; dhe të tërheqë Serbinë në zonën e influencës perëndimore. Nëse do të kishim imediatisht hyrjen e Kosovës në OKB, do të ishte zhvillim epokal, por dhe kështu duhet të kemi mirëkuptim të plotë. Flitet për ekonomi, mirpo ekonomia është politikë, jo thjesht në kuptimin e termave. Sott ë bësh biznes në Kosovë është më e kushtueshme, sepse Kosova nuk është pjesë e OKB-së.
Mentor Nazarko u shpreh se Kosova, në këtë marrëveshje duhet të ishte pajtuar, apo konsultuar mes vetes, palëve politike atje, por edhe me Shqipërinë, me qëllim që faktori shqiptar të ishte i unifikuar.

“Çfarë shoh interesante është se mu në oborrin e Europës, në Ballkan, disa dekada pas Luftës së dytë botërore, SHBA-të, ja marrin stafetën europianëve, duke e zgjidhur konfliktin e Kosovës, me metoda europiane. A nuk u pajtuan dasitë ndëreuropiane, frankogjermane, mu nëpërmjet themelimit të Bashkimit Europian? Kjo çështje po tentohet që të zgjidhet me mënyra europiane. Zhurmat që vijnë nga Kosova, i shoh si ato të ngjashmet me zhurmat brenda një fisi të madh në prag të një dasme. Një vëllai, a një kushëriri, i mbetet hatri pse s’është ftuar, pse s’ është vendosur afër dhëndrrit apo pse nuk ikën krushk. Mjerisht kjo marrëveshje po ndodh kur politika e Kosovës është më e ndarë se kurrë, ndërsa në ballafaqime të tjera të ngjashme më herët si në Rambuje apo Vjenë politika në Kosovë ka qenë më e bashkuar. Duke qenë kjo përçarje, dasma nuk është më e mira. Ndërsa LDK-ja mbetet faktori më properëndimor në Kosovë, disa politikanë sot në Kosovë po shfaqin një egocentrizëm banal. Ata i lejojnë vetes ta përdorin mbështetjen e SHBA-ve si kartë elektorale, ndërsa SHBA nuk duhet ta përdorin sipas tyre si kartë elektorale çështjen e Kosovës? Pse vallë? Madje përdorimi për arsye elektorale e rrit rëndësinë e çështjes së Kosovës. Egocentrizëm është të presësh në favor të Kosovës triumfalizëm të SHBA-ve: sot ajo është ndërmjetëse, pra duhet të luajë mes palëve. Sado që shqiptarët kanë qenë të privilegjuar nga SHBA, kjo nuk do të thotë se në këtë marrëveshje, Amerika të mos jetë e balancuar. Egocentrizëm është të mendosh të luash midis demokratëve dhe republikanëve në zgjedhjet presidenciale, apo midis europianëve dhe amerikanëve. Amerikanët madje kanë dëgjuar me shumë vëmendje zërat në Kosovë: pasi kanë dëgjuar vazhdimisht kritika për zotin Thaçi, kanë thënë: nuk doni atë? Epo mirë, marrëveshja është më e rëndësishme se personat. Mua mu duk se Vuçiç nuk e kundërshtoi fuqishëm idenë e njohjes reciproke, ndërsa tha se na është kërkuar njohja e Kosovës dhe ai thjesht kërkoi të mos trajtohej bashkë me normalizimin ekonomik. Vuçiç ka pranuar se kjo marrëveshje i duhet Trump, dhe për këtë arsye u bë konstruktiv. Në SHBA, si republikanët, ashtu edhe demokratët kanë qenë pro Kosovës”,- deklaroi Nazarko.

“Presidenti Trump e ka parë si kartë elektorale dhe ne thjesht duhet t’i jemi mirënjohës. SHBA do që të heqë trupat e saj nga Ballkani Trumpi shkon që të zgjidhë një konflikt në Ballkan, që nisi me paraardhës tjetër; E treta, Serbia tërhiqet nga SHBA në zonën perëndimore të influencës. Duhet supozuar se kjo do të bëjë që opozita serbe të jetë më agresive kundër presidentit Vuçiç. Nga mënyra si palët janë vendosur në tavolinë, zyra e zgjedhur,nga firmosja e njëkohshme si palë kontraktore, ndërsa Serbia pranon këtë marrëveshje, atëherë ajo po pranon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Ne si shqiptarë na intereson kjo “shitje publicitare” që bën Trump. Nuk mendoj se SHBA po hyn në këtë marrëveshje, që të prishë atë që ndërtoi në Kosovë që nga 1999. Marrëveshja i hap rrugën Kosovë që të pranohet në OKB. Nëse Kosova hyn në OKB, i bie hapet rruga për një NATo, për në BE është shumë e rëndësishme. Serbia edhe tani e ka njohur Kosovën, ka marrëveshje për manaxhimin e integruar të kufijve, njeh dokumentet respektive të identitetit, etj. Zgjidhja e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë do marrë ende kohë, por sot kemi marrëveshje mes Kosovës e Serbisë”, tha Nazarko.

Mentor Nazarko kritikoi ata që shohin këtë marrëveshje me pesimizëm, duke thënë se SHBA-të e njohin mirë çështjen e Kosovës dhe po bëjnë më të mirën e mundshme.

“Kosova në njëfarë mënyre është një shtet i dy nënave, SHBA-ve dhe BE-ve, por Bashkimi Europian dështoi sot, kur toleroi izolimin e Kosovës. Izolimi krijoi probleme. Në Kosovë kishim shenja të ekstremizmit islamik e kjo ndodhi për shkak të mos-liberalizimit të vizave.. SHBA e njeh mirë çështjen e Kosovës. Diplomacia amerikane ka dëgjuar më vëmendje zërat që vijnë nga Kosova. Politika amerikane ka dëgjuar të gjitha ndjeshmëritë.
Amerika sot është garante e kësaj marrëveshje dhe në terren është garante e sigurisë së Kosovës, dhe sovranitetit të saj. Pa praninë e NATO-s në Kosovë dhe SHBA-ve nuk ka sovranitet.
LDK me kryeministrin e saj që drejton negociatat është pro perëndimore dhe këtë e demonstroi me qasjen ndaj negociatave. Ajo ka ruajtur boshtin properëndimor të kombit tonë dhe po e përkryen pozitën tonë ndërkombëtare

Për Mentor Nazarkon, pas nënshkrimit të marrëveshjes, kemi praktikisht hapjen e një kapitulli të rii mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se marrëveshja duket si traktat paqeje.

“Amerikanët i kanë dhënë gjithë vëmendjen e duhur kësaj ngjarje. është ceremoni paksa e personalizuar, mirpo personi në qendër të saj është njeriu më i fuqishëm i botës. Izraeli mund ta njohë Kosovën e ky do të ishte një lajm i jashtëzakonshëm, sepse vjen si dhuratë nga SHBA-të duke patur karakter simbolik të jashtëzakonshëm ndërsa palët në marrëveshje zotohen se nuk do të angazhohen për njohje të reja, apo çnjohje.
Është një kapitull ri i mes kombit shqiptar dhe atij serb e unë uroj që të shkojë drejt normalizimit të plotë. Çështja e të zhdukurve dhe krimet e pazbardhura thuhet se janë një problem, mirpo historia ofron zgjidhjet. Izraeli që po njeh Kosovën vazhdon dhe sott ë ndjekë penalisht kriminelët gjermanë të luftës, por kjo nuk e pengon të bëjë biznes me Gjermaninë si partner kryesor. Duket pjesërisht si memorandum mirëkuptimi, i ngjan një traktati paqeje mes dy vendeve. Normalizimi ekonomik nënkupton normalizim politik.
Interesant është se cili do të jetë reagimi i palëve të tjera, ndonëse rusët kanë thënë se do pranojnë çdo marrëveshje që pranon Serbia”, përmbylli Nazarko.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb