Analisti Mentor Nazarko i ftuar në një lidhje live në rubrikën ”Opinion” të News24 ka analizuar situatën politike post-konfirmimit të aktakuzave në Hagë që kanë sjellë dhe një mjegull tashmë në të ardhmen e fatit të qeverisë Hoti.

Pikërisht dorëheqja e Hashim Thaçit ka zgjuar pretendimet për postin e Presidentit dhe disa prej partive politike kërcënojnë se Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve.

Nazarko thotë se Kosovës i duhet një qeveri me bazë të gjerë me mandat të kufizuar që të zgjedhë Presidentin dhe pas dialogut e reformave të shkojë në zgjedhje.
Për të dialogu Kosovë-Serbi duhet të vijojë pasi nuk sheh asnjë lidhje të saj me çështjet ish-liderëve të UçK që sot janë në proces gjyqësor në Hagë për krime lufte.

”Raporti me Perëndimin duhet ruajtur me çdo kusht, sepse prishjen e këtij raporti e kërkon Serbia- tha Nazarko. Edhe kundërvënia apo fryma e egër ndaj Gjykatës, e nxit këtë frymë. Mjafton të kujtojmë që prokurori udhëheqës i Dhomave të Specializuara është amerikan. Kjo gjykatë është krijesë e perëndimit e miratuar nga parlamenti i Kosovës, që funksionon formalisht në bazë të një rezolute të Këshillit të Europës që kishte për bazë raportin e Marty për krimet e UçK.
Kur po mbaronte mandati i kësaj gjykate, është e vetëkuptueshme që do kishim një proces të bujshëm që të justifikohej financimi i bollshëm për funksionimin e saj. Ngjan se është një goditje për politikën e Kosovës, por do duhet parë gota gjysmë plotë: Kosova do t’ i tregojë botës se nuk ka asnjë krim të bërë prej Ushtrisë së saj në dëm të civilëve. Kosova e forcon kapacitetin e saj negocial kundrejt perëndimit dhe Serbisë. I ka bërë gjithë kompromiset e mundshme, s’ka më çfarë të dorëzojë si koncesion, pas pranimit të Planit Ahtisaari, etj.

Procesi është një rast që ka avantazhet dhe disavantazhet e veta për Kosovën. Do zgjasë gjatë, është goditje për elitat e Kosovës, pra supozohet të ketë edhe impakt në qarkullimin e elitave. Janë disa zhvillime që pritet të ndodhin.

Ndryshim i kabinetit qeveritar?

Shenjat janë që lojërat taktike që po bëjnë aktorët në Kosovë deri më tani janë lojëra partikulariste. Po ndiqen interesa të veçanta, dhe në fund të shpresojmë që do të fitojë më e mira. Që Kosova të forcojë marrëdhëniet me perëndimin.
Dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë. S’ka lidhje me këtë që po ndodh në Hagë. Serbia ka interes të ndalë dialogun, i cili po ndodh ndërsa mungon mbikqyrja e një njeriu si Richard Grenell, i dërguar special i Presidentit Trump, i cili do të largohet. Zonja Merkel gjithashtu është në fund të mandatit të fundit. Tani në Kosovë janë ambasadat që kanë fuqinë kryesore. Duhet të gjendet një formulë e një qeverisje me bazë të gjerë me mandat të kufizuar që zgjedh Presidentin, bën reformat, vijon dialogun me Serbinë dhe në fund më pas të shkohet në zgjedhje. Nuk besoj se perëndimi ka interes të bëjë zgjedhje në Kosovë disa herë në vit.

Po ndiqja bisedën e Ramush Haradinajt që e ka kaluar kalvarin e drejtësisë ndërkombëtare dy herë. Eksperienca e tij është e bollshme. Ai natyrisht e sheh me mirëkuptim njerëzor fatin e kolegëve, ndonëse atij i është hapur shansi i kandidimit për president. Duket se ai ka këshilluar disa prej atyre që janë në Hagë kanë qenë të heshtur, drejtpërdrejt apo nëpërmjet avokatëve të vet, që kanë lëshuar mesazhe politike dhe kombëtare shpesh. Për të mundësuar lirimin e përkohshëm s’duhet acarim i Prokurorisë e Gjykatës.
E vërteta është që në planin juridik prokurorëve u është dashur të marrin në konsideratë dokumente të ardhur nga Serbia. Në aktakuzë nuk ekziston akuza për Shtëpinë e Verdhë, ky është zhvillim pozitiv. Në 39 raste, apo vendndodhje të ndryshme në Kosovë e Shqipëri akuzohen për krime individë të luftës me në krye Shtabin e Përgjithshëm. Për këtë shkak apo fakt, prokurori ka gjetur të formulojë një akuzë të rëndë për organizatë kriminale. Duket që prokuroria ka identifikuar edhe dokumenta politike, ku Shtabi i Përgjithshëm ka
marrë përgjegjësi për disa krime të supozuar, dhe kjo është një nga elementët që mban në këmbë akuzën për fakte që udhëheqësit e akuzuar kanë pasur dijeni apo përgjegjësi.”- tha Nazarko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb