Kryeministri Edi Rama tha në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës se është një turp për Bashkimin Evropian mosliberalizimi i vizave për kosovarët.

Me tone të ashpra, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se Kosova është marrë peng i dinamikave të brendshme në vende të caktuara të BE, raporton “BalkanWeb”.

“Mosliberalizimi i vizave për Kosovën është një turp për BE. Kosova është marrë peng i dinamikave të brendshme në vende të caktuara të BE. Kosova është marrë peng i logjikës elektorale në vende të ndryshme të BE dhe Kosova duhet të presë si mbaroi në palë zgjedhje në një vend dhe pastaj kur ka zgjedhje në një vend tjetër. Kam folur pa pushim për këtë temë me ata që i kam takuar në Evropë dhe akoma nuk arrijë dot ta kuptoj asgjë nga ato që thonë, por kuptoj që arsyeja është ajo që nuk thonë. Kosova e paguan me mosliberalizim të vizave, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e paguajnë me sajesa pas sajesash, sipas konfiguracionit elektoral në një vend dhe një vend tjetër, dhe rajoni e paguan në tërësi. Kjo është arsyeja pse unë jam i bindur që nëse bashkëpunimi dhe integrimi rajonal, absolutisht nuk lidhet me integrimin evropian, por është padyshim një valvul e rëndësishme shkarkimi për sa i përket presionit të madh dhe objektiv mbi tregjet shumë të vogla, që ne jemi të ndarë nga njëri-tjetri. Zgjerimi dhe integrimi i tregjeve në rajon nuk sjell asgjë të keqe, përkundrazi sjell më shumë ekonomi, punësim dhe mundësi për paqe apo zgjidhjen përfundimtare të çështjes themelore, që është njohja e Kosovës nga Serbia”, tha Rama.

Më tej, kryeministri shqiptar theksoi se “Dua të vë theksin edhe te një marrëveshje që mund të duket e parëndësishme, por që është shumë e dobishme për mësimin online, si një risi që kërkon koha. Për herë të parë ne po përgatisim një gjeneratë tjetër me të njëjtin sistem dhe po e bëjmë të gatshme për të folur të njëjtë gjuhë”.

Ndër të tjera, Rama kujtoi edhe ditën e errët për Shqipërinë, atë të tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, duke falënderuar Kosovën për ndihmën e menjëhershme. “Nuk do ta harroj asnjëherë dhe nuk do të mungoj asnjëherë në përsëritjen e mirënjohjes për kontributin e jashtëzakonshëm dhe për frymën e ngrohtë që sollën forcat e Kosovës në një nga ditët më të vështira për Shqipërinë, në historinë e saj, që ishte dita pas tragjedisë së 26 nëntorit. Dua t’i falënderoj me shumë respekt”, u shpreh Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb