KOSOVE-Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli i është kundërpërgjigjur ambasadorit rus në Serbi, Alexander Chepurin për deklarimet e tij se Kosova mbetet pjesë e Serbisë.

“E lexova me vëmendje deklaratën e Ambasadorit rus në Beograd, Alexander Chepurin, i cili sipas raportimeve të mediave, ndër të tjera, kishte deklaruar se: “sa i përket Kosovës, sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare, Kosova mbetet pjesë e Serbisë”, ka thënë Pacolli.

Sipas tij është vërtetë për keqardhje, që një zyrtar kaq i lartë diplomatik bën deklarata të tilla, që nuk i kontribojnë aspak paqes, stabilitetit dhe ndërtimit të besimit dhe pajtimit në Ballkanin Perendimor.

“Rusia, në vazhdimësi  ka qenë pjesë e procesit të negociatave për zgjidhjen e statusit përfundimtarë të Kosovës. Mbase ka kaluar një kohë pak sa e gjatë, rreth 6 vjet dhe Ambasadorit rus nuk i është kujtuar, por, po e shfrytëzojë këtë rast për t’i rikujtuar se Organi Kryesor i Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, kishte vërtetuar me vendimin e saj se ‘shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel as të Drejtën e Përgjithshme Ndërkombëtare, Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të vitit 1999 apo Kornizën Kushtetuese”, ka shtuar ai.

Pacolli ka thënë se në atë proces edhe shteti, që Chepurin përfaqëson deponoi kontributet e tij me shkrim dhe me gojë.

“Unë, thjeshtë nuk e di se për çfarë Ligjesh dhe Rregullash tjera ndërkombëtare flet përfaqësuesi diplomatik rus. Në mbështetje të asaj që u tha më lartë, nuk mund të jap vlerësim tjetër pos atij të vazhdimësisë së pretendimeve ruse për krjimin e lajmeve të rreme dhe krijim hutie tek opinioni lokal dhe ndërkombëtarë”, shkruan në komunikatën e Ministrisë se Punëve të Jashtme.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: