TIRANË

Nuk ka ngelur jashtë rrëfimit të liderit të PD-së Lulzim Basha në librin e sjellë së fundmi “Misioni im” Kosova, për të cilën thotë se është gjysma tjetër. Një kapitull i veçantë kushtuar Kosovës, ku Basha njeh me origjinën e tij si nip Kosove.

Ai flet në kë libër për lidhjen e fortë dhe ndjeshmërinë e veçantë ndaj Kosovës duke shkëputur copëza nga e kaluara e tij, me gjyshen e ardhur nga Peja, rrëfimi për gjyshin që kishte ardhur në Shqipëri nga Drenica bashkë me dy djemtë e Shaban Polluzhës. Më pas ndalet tek udhëtimi i tij i parë me skuadrat e OKB-së dhe tek kontaktet në Holandë me liderin historik të Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova dhe me përfaqësuesit e tjerë të qeverisë në azil të Kosovës.

“Jo shumëkush e di që gjyshërit e mi nga nëna janë të ardhur në Shqipëri nga Kosova. Që unë jam nip i saj. Prandaj dhe Kosova është gjysma tjetër e imja. kjo lidhje personale bën që Kosova të ketë një vend dhe ndjeshmëri të veçantë për mua, dhe jo vetëm si politikan. Kjo ndjeshmëri dhe vëmendje për Kosovën më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës sime profesionale dhe politike.
Këtë ngjizje shpirtërore me Kosovën e mbaj mend qysh kur gjyshja ime më rrëfente se si ajo kishte ardhur me familjen e saj nga Peja, për t’u zhvendosur në moshë fare të re në Tiranë.
Po ajo më tregonte se si edhe gjyshi im, të cilin nuk e kisha njohur pasi ishte larguar nga jeta kur unë isha 2 vjeç, kishte ardhur në Shqipëri nga Drenica në vitin 1926, bashkë me dy djemtë e Shaban Polluzhës, legjendës së rezistencës kosovare.
Në shtëpinë time kishte gjithmonë një atmosferë dhe aromë Kosove: libra, rrëfime, gatime dhe të afërm që hera-herës vinin e na vizitonin. Më kujtohet si tani vizita e një kushëriri nga Drenica, i cili erdhi në Shqipëri pas demonstratave të vitit 1981. Historitë e tij kur kthehej nga Gjirokastra, ku e çuan për të jetuar, i kujtojmë me humor ende edhe sot. Kështu, qysh i vogël, unë jam formuar me dashurinë për Kosovën, me dashurinë për atë vend që kishte qenë shtëpia e gjyshërve të mi dhe që historia e ka bërë të vuajë aq padrejtësisht.
Kosovën e kam shkelur në çastin më të parë që kam mundur, me skuadrat e OKB-së në verën e vitit 1999, ku mes karvanëve të para ushtarake të NATO-së që hynë në Kosovë, udhëtoja në makinat e bardha të OKB-së. Ishte një ëndërr për mua. Sepse po e shkelja për herë të parë një tokë për të cilën më kishin folur me aq dashuri familjarët e mi, për të cilën vetëm kisha krijuar ide në imagjinatën time, të cilën e kisha ëndërruar aq shumë dhe të cilën isha përpjekur edhe unë ta ndihmoja sadopak. Kam qenë me fat që edhe kur kam qenë në Holandë, si pjesë e komunitetit shqiptar aty, jam takuar disa herë me liderin historik të Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova dhe me përfaqësuesit e tjerë të qeverisë në azil të Kosovës.
Po ashtu jam me fat që për pesë vite shërbeva fillimisht në ekipin e Tribunalit për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, që dokumentoi dhe ngriti akt-akuzën kundër Sllobodan Miloshevicit dhe më pas në Kosovë, në kuadrin e administratës së UNMIK-it. Çdo ditë aty, unë kam ndier një shpagim: realizimin e një amaneti të gjyshërve të mi për të kontribuar me mish e me shpirt për ëndrrën e Kosovës së lirë e të pavarur”.

Basha flet dhe për punën e tij më pas si ministër dhe tregon emocionet e forta gjatë inaugurimit të “Rrugës së Kombit”. Ai thotë se përjetoi pavarësimin e Kosovës, teksa shton se misioni për të nuk ka përfunduar.

“Si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Transporteve, puna ime për ndërtimin e Rrugës së Kombit dhe për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, ishte kurorëzim i lidhjes sime me Kosovën, të cilën nuk e dinte askush. Kur kemi inauguruar Rrugën e Kombit me ish-kryeministrin Berisha, unë mezi mbaja lotët; në ato çaste, teksa prisnim të binte barriera e fundit që na ndante me Kosovën, më kanë ardhur në mend gjyshërit e mi, të cilën ndërruan jetë pa pasur më kurrë mundësi të shikonin tokën e tyre, mu kujtuan dëbimet masive të shqiptarëve, mu kujtuan sakrificat e sa e sa patriotëve që luftuan për liri, Presidenti Rugova, Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Të gjitha këto vetëm në një fraksion sekonde. Ka qenë nderi më i madh i jetës sime politike deri atëherë, që falë mbështetjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë, sidomos Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të isha pjesëmarrës në pavarësimin e Kosovës, të përjetoja në radhën e parë se si po realizohej një ëndërr, jo vetëm e familjes sime, por e gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë.
Po, ky mision për mua nuk ka përfunduar. Sot, ku kemi dy shtete shqiptare, kemi përpara një detyrë të re. Kryeministri i Shqipërisë duhet ta ketë gjithmonë qëllim madhor të detyrës së tij marrëdhëniet me Kosovën. Nuk mund të ketë politikë të jashtme për Kryeministrin e Shqipërisë, pa pasur në fokus Kosovën dhe sfidat e saj në arenën ndërkombëtare. Kjo kërkon përpjekje maksimale dhe serioze për të pasur sukses, jashtë simbolikave demode, jashtë çfarëdolloj ngjyrash politike të pakuptimta, të cilat deri më tani na kanë lënë në vendnumëro. Kjo kërkon kapacitete të caktuara profesionale, përpjekje maksimale, të cila unë angazhohem t’i vë në dispozicion të qeverisë së re pas 25 prillit”.

Basha ndalet më tej konkretisht aty ku duhet ndërhyrë për të avancuar raportet me Kosovën, si pengesat tregtare, që sipas tij zhvillohen edhe me inkurajimin e qeverisë së Tiranës. Ai flet për njehsim në arsim, kërkime të përbashkëta shkencore, kurrikula të përbashkëta.

“Themelimi i Kosovës si shtet është një mrekulli e shekullit tonë, kontribut i rezistencës së pashlyeshme të një kombi, i luftës çlirimtare të Kosovës dhe sigurisht i partnerit tonë strategjik kombëtar, SHBA dhe aleatëve tanë euro-atlantikë. Ne nuk duhet të harrojmë kurrë dhe duhet t’u jemi përjetë mirënjohës për këtë. Mirëpo beteja e Kosovës nuk ka mbaruar ende. Në vitet e fundit, Kosova ka hasur vështirësi në pozitat e saj geopolitike, madje në disa aspekte ka bërë hapa mbrapa. Kjo si pasojë e politikave të gabuara që janë mbështetur dhe nxitur për interesa tërësisht personale në Tiranë dhe në Prishtinë. Prandaj, vitet e ardhshme janë vite sfide dhe kërkojnë energji dhe kapacitete të reja. Nuk mund të ketë të ardhme të ndritur për Tiranën, nëse nuk ka edhe për Prishtinën. Njohja e saj nga shtetet që akoma nuk e kanë bërë këtë dhe anëtarësimi i saj në institucionet ndërkombëtare, nga OKB, në BE dhe NATO, janë po kaq prioritet i Kosovës, sa edhe i qeverisë së ardhshme të Shqipërisë. Në këtë kuptim, ne kemi nevojë për një rrugëtim të ri”.

Basha shkruan dhe për politikat e qeverisë së Tiranës, që sipas tij në këto 8 vite kanë qenë preferenciale, të çartura dhe okulte dhe kanë dëmtuar të dyja vendet. Ai ndalet dhe tek akuzat e ngritura ndaj tij, ku thotë se në momentin më të vështirë ndërkombëtar të Kosovës, kur për Komandantët e UÇK-së u prenë fletë-arresti, në vend që qeveria shqiptare të bashkonte forcat për të përballuar këtë situatë të vështirë, u zhyt në një lojë të pistë politike. Ai thekson se e gjithë kjo shpifje për të baltosur emrin e tij, nuk ishte gjë tjetër veçse një thikë pas shpine ndaj Kosovës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: