Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka marrë një vendim të ri për të gjithë personat që vijnë nga jashtë, të cilët nuk do të qëndrojnë më 14 ditë në karantinë.

Ata do të qëndrojnë shtatë ditë në karantinë, por në Qendrën e Studentëve në Prishtinë nëse dalin negativ në testin për koronavirusin.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti në një prononcim për Telegrafin sqaroi procedurat që do të aplikohen për persona që vijnë nga jashtë, e që janë tri rekomandime nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Çdo personi që karantinohet, në ditën e shtatë të hyrjes do t’i bëhet testi dhe nëse del negativ do të lirohet në shtëpi për vetizolim edhe për 14 ditë.

Ndërkaq, nëse del pozitiv por nuk ka komplikime shëndetësore mbetet në izolim dhe e treta nëse del pozitiv dhe ka shenja dhe komplikime dërgohet në spital.

“Kjo ka ardhur si rezultat i përmirësimit të situatës, por kujdesi dhe zbatimi i masave në fuqi duhet të respektohen gjithsesi për të parandaluar një përkeqësim të situatës epidemiologjike pas kësaj periudhe shumë pozitive”, u shpreh Hoti për Telegrafin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: