PRISHTINË- Në Kosovë, nesër inaugurohet Projekti “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë.

Ceremonia solemne mbahet në Nënstacionin 400/220 kV Kosova B, në Kastriot, duke filluar nga ora 15:00, u bë e ditur sonte për ATSH-në.

Të pranishëm në do të jenë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, zëvendësministri i Energjetikës dhe Industrisë i Shqipërisë, Ilir Bejtja, përfaqësues të Ambasadës së Gjermanisë dhe Shqipërisë dhe përfaqësues të tjerë të ambasadave dhe institucioneve vendore dhe ndërkombëtare nga sektori i energjisë në Kosovë dhe Shqipëri.

Kosova ka përfunduar “autrstradën” energjetike drejt Shqipërisë, në 14 dhjetor u bë energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik dhe të mëse 45 fshatrave.

Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit shtator u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike, 239, u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.

Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë gjithë “autostradën” energjetike, paralajmëronte kryeministri kosovar Isa Mustafa, i pyetur nga ATSH në një konferencë për shtyp në verë, muajin gusht, ku ka folur edhe për bashkëpunimet në fushën e energjetikës e të tjera. “Rrjeti energjetik mendojmë se vitin e ardhshëm duhet të aktivizohet. Sivjet presim që të kryhen të gjitha punimet në pjesën tonë, edhe në pjesën e Shqipërisë kryhet vitin e ardhshëm dhe do e inaugurojmë”, ka theksuar kryeministri kosovar Mustafa.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se, është duke u punuar që të sigurohet edhe tregu i përbashkët i energjisë elektrike, që të bëhet këmbimi i saj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: