TIRANË – Memli Krasniqi, Ministër i Bujqësisë së Kosovës, e pranon se ndërmjet dy vendeve në të kaluarën ka pasur edhe keqkuptime, që nuk kanë reflektuar mirë në marrëdhënien ndërmjet dy vendeve, por ato nuk kanë qënë në vullnetin e qeverive dhe institucioneve.

I ftuar në studion e “News24”, ministri Krasniqi foli sot për marrëveshjet e nënshkruara por edhe për të ashtuquajturën “luftë tregtare” ndërmjet dy vendeve, ku përmendi faktin se “pati reflektim”.

“Po, – tha Krasniqi, – çdo qeveri bën mirë që e dëgjon biznesin, sepse janë sipërmarrësit ata që ballafaqohen me sfidat. Normalisht, këshillat dhe rekomandimet e tyre ne i marrim parasysh dhe janë reflektuar në marrëveshje, por e rëndësishme është kur ato të shihen të konkretizuara. Duhet pasur parasysh se lobigjet e ndryshme krijojnë edhe këto konflikte, duke bindur instanca të ndryshme, por më e rëndësishme është pajtueshmëria që ne kemi ndërmjet dy vendeve për të mos pasur probleme.”

Ndërmjet të tjerave, ministri kosovar theksoi se “marrëveshjet tona, kryesisht në fushën e bujqësisë dhe infrastrukturës, janë me rëndësi, sepse Kosova ka shumë se ç’të mësojë nga Shqipëria, por edhe ne kemi modele të mira. Ne mund të bëjmë prezantime të përbashkëta të produkteve tona, sepse ne kemi në masë të caktuar, përparësi të caktuar, jo vetëm me njeri-tjetrin, por edhe në tregjet evropiane. Dhe me shumë rëndësi është tendenca esenciale për të hequr barrierat e panevojshme administrative, teknike, që e kanë rënduar marrëdhënien ndërmjet dy vendeve. Nëse shkëmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve tona është 170 milionë euro, ai është shumë i ulët për mundësitë që kanë vendet dhe duhet punuar fort që të rritet më tej.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb