TIRANE- Kandidati i djathtë për kryetar bashkie në Tiranë, Halim Kosova, ka zhvilluar pasditen e sotme një takim elektoral me banorët e rrugës “Gramoz Pashko” për të prezantuar programin e tij për kryeqytetin. Ndërsa prezantoi projektet e tij në infrastrukturë dhe për më shumë hapësira të gjelbra, Kosova tha se synon ofrimin e sa më shumë mundësive dhe shërbimeve për qytetarët.

“Kam 5 prioritete për Tiranën, në fokus është ulja e taksave dhe punësimi. Me rëndësi është higjiena, gjelbërimi, rikonstruksioni i rrugëve, dhe ndërtimi i trotuareve. Do jem pranë jush duke ju shërbyer me përkushtim dhe duke zgjidhur problemet tuaja. Do të veprojmë më kujdes me menaxhimin e buxhetit. Çdo qindarkë e shpenzuar do të publikohet online për të qenë sa më transparentë me ju. Do të punoj me staf profesional e të përgjegjshëm që të punojë për ju”, tha Kosova.

Kandidati i djathtë tha se “Politikanët tipikë gjejnë mënyra për të mos qenë transparentë me qytetarët, duke bërë që të bllokohen projekte të rëndësishme për ta”.

“Është privilegj për mua që jam i rrethuar nga kaq shumë shpresë për të ardhme dhe që besoni tek aftësitë e mia. Tirana sot ndodhet në udhëkryq. Do zgjedhim midis punë jo fjalë apo fjalë jo punë. Mes një menaxheri të vendosur apo dikë që do vetëm karrierë politike. Do zgjedhim një kryetar që beson që bashkia i përket qytetarëve apo dika që beson se bashkia duhet të kontrollohet nga një parti dhe ta vërë atë në shërbim të partisë. Tirana ka ecur këto katër vite por unë dhe ju mendojmë se kemi akoma shumë për të bërë. dua të krijoj më shumë vende pune të shtroj më shumë rrugë e trotuare dhe të ndërtoj shkolla të reja. Tirana më ka dhënë shumë mundësi shumë miq të mir. Unë vërtet nuk jam një politikan tipik por ndoshta kjo është ajo që na duhet.”- u shpreh Kosova.

Kreu i LZHK-se Dashamir Shehi i pranishem ne takim, vlerësoi figurën e kandidatit Kosova. Ai u shpreh se Kosova vjen me një politikë të re.
“Jemi këtu për të vendosur në mënyrë definitive se ne jemi këtu për të rezistuar dhe kush mendon se do marrë para e ka gabim. Të nderuar qytetarë në datën 21 qershor kemi një shans të madh për ti thënë po punës dhe jo fjalës. Për ti thënë po të vërtetës, jo gënjeshtrës përrallave, për ti dhënë po qytetarisë jo qyteteve që po skuqen si në kohën e Mao Ce Dunit. Në datën 21 kemi një shans të votojmë doktor Kosovën. Ky është shansi jonë. Ky burrë ka lënë anësh politikën. Këtë radhë do bëjmë një politikë të re.”- u shpreh Shehi.

(el.sp/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: