KOSOVË- Fondi Monetar Ndërkombëtar ka trajtuar së fundi raportin për Kosovën, në kuadër të “Konsultimeve sipas nenit IV”, të zhvilluara në mars të këtij viti. Këto janë konsultime të rregullta që FMN bënë me secilin vend anëtar dhe të cilat kanë treguar një gatishmëri të FMN-së për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në objektivat e saj zhvillimore.

Në një komunikatë të Ministrisë së Financave thuhet se në këtë drejtim, do të rishikohen rregullat fiskale, sa i përket shpenzimeve buxhetore për të mundësuar investime kapitale në projekte në sektorë si bujqësi, infrastrukturë dhe furnizim me ujë, projekte të cilat krijojnë mundësi zhvillimore dhe punësim.

“Në veçanti, projektet e ujitjes së tokave bujqësore krijojnë mundësi për rritje të prodhimtarisë bujqësore për të zëvendësuar importin e madh të produkteve ushqimore”, thuhet në komunikatë.

Në javën që vjen, Kosovën do ta vizitojë Zëvendësdrejtori Menaxhues i FMN-së, Min Zhu, së bashku me një ekip që do të fillojë negociatat menjëherë pas vizitës së tij për një program të ri të Kosovës me FMN-në.

Në komunikatë thuhet se ky program i ri me FMN-në, e rrit besueshmërinë e partnerëve tanë dhe institucioneve financiare ndërkombëtare ndaj Qeverisë së Kosovës dhe mundëson hyrjen në kredi afatgjatë, me kushte shumë të volitshme, për të financuar projektet madhore të Qeverisë Mustafa.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: