Viti akademik në Kosovë nis në tetor në format të kombinuar për shkak të pandemisë së koronavirusit. Mësohet se rektorët e shtatë universiteteve publike kanë marrë vendim sot që viti i ri akademik 2020/2021 të nisë më 1 tetor.

Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se në Konferencën e Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës është arritur pajtueshmëri që provimet pranuese për studentët e rinj dhe provimet të mbahen në ambiente të fakulteteve, derisa ligjëratat, konsultimet dhe aktivitetet tjera të zhvillohen në distancë.

Përgjatë kësaj konference është thënë edhe se si pasojë e shtyrjes së Provimit të Maturës për datën 29 gusht, viti akademik për studentët e rinj mund të fillojë me deri në dy muaj vonesë. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur ditë më parë se hapja e institucioneve tjera shkollore do të varet nga gjendja epidemiologjike.

Sipas tij, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë po përgatisin udhëzuesin për mënyrën e organizimit të vitit të ri shkollor nga 1 shtatori.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: