KOSOVË 

Pas Shqipërisë, e cila mbylli llotaritë sportive, edhe Kosova ka marrë vendimin që të mos ketë lojëra fati, për së paku 10 vjet. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se kjo masë për Kosovën u mor veçanërisht, pas një vrasjeje të dyfishtë që ndodhi pak kohë më parë në një kazino.

“Lojërat e fatit shkaktojnë kaos. Ne nuk mund të lejojmë që këto vende të jenë arena të krimit, ku njerëzit humbin jetën”, tha Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës. Gjatë javës, Policia e Kosovës realizoi disa operacione, duke mbyllur më shumë se 470 lojëra fati në mbarë vendin. Ndalimi i lojërave të fatit në Kosovë hyn në fuqi pikërisht sot, më 1 prill.

Industria e lojërave të fatit është rritur me shpejtësi në Kosovë që nga pavarësia e vendit nga Serbia në vitin 2008. Shoqata e Lojërave të Fatit në Kosovë tha se në këtë sektor punonin 4000 persona. Ruzhdi Kosumi, i cili ka 14 pika bastesh e kazino në Kosovë tha se 40 punëtorë të tij do të ngeleshin pa punë. “Vendimi për të na mbyllur pikat është marrë pasi dy prej punëtorëve tanë u vranë. Kjo është e pakuptimtë. Kemi humbur njerëz dhe tani po humbasin punët tona “, tha Kosumi për Reuters.

Qeveria merr rreth 20 milionë euro çdo vit nga taksat mbi lojërat e fatit. Sipas legjislacionit të ri, të miratuar në një emergjencë nga parlamenti i Kosovës më 28 mars, vetëm një llotari kombëtare qeveritare do të lejohet të operojë.

(d.xh/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb