Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe përfaqësuesi Dhomës së Hotelerisë dhe Turizmit, Driton Hoti, kanë diskutuar sot për masat e reja anti-COVID.

Sipas mediave kosovare vaksina anti-COVID të jetë e detyrueshme për qytetarët që do të marrin pjesë në aktivitete shoqërore, në qendra tregtare, klube të natës.

“Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqëror, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marrë vaksinën anti-covid, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”- thuhet në njoftimin e OHT-së.

Stafi i  këtyre sektorëve detyrohet të jetë i vaksinuar të paktën me dozën e parë të vaksinës, deri më 12 gusht.

“Ndërsa sa i përket stafit punues të këtyre sektoreve obligohen që deri më datë 12 gusht të përfundojnë të paktën dozën e parë të vaksinimit”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se është diskutuar edhe zgjatja e orarit për klubet e natës.

“Gjithashtu sa i përket orarit të klubeve të natës u bisedua që të ketë zgjatje pra këto aktivitete të fillojnë nga ora 23:00 deri në ora 03:00 pas mesnate”, bën të ditur njoftimi.

 

Ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 11 gusht.

 

(BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb