Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dërgimin e FSK-së për ndihmë në Turqi, pas situatës së krijuar nga goditjet e tërmeteve.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media nga Zyra e Kryeministrit.

“Qeveria e Kosovës përmes një mbledhje elektronike ka miratuar vendimin për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së, sipas kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti i sotëm në Turqi”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se Republika dhe populli i Kosovës i qëndrojnë pranë Turqisë dhe popullit të saj në këto kohë të vështira.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj kushtetuese, ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar humanitar në Republikën e Turqisë për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike të tërmeteve të sotme.

“Presidentja Osmani ka shprehur solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, kryeministri Kurti, i ka dërguar një telegram ngushëllimi Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, pas tërmetit që shkaktoi mijëra viktima në Turqi dhe Siri.

Kurti i ka shprehur ngushëllime Erdoganit, në emër të popullit të Kosovës, të gjithë familjarëve të viktima ndërsa të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë.

Reagimi i plotë:

Përmes një letre drejtuar Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, i ka shprehur ngushëllimet më të thella atij dhe familjarëve të viktimave të tërmetit që goditi sot Turqinë, kurse të lënduarve u ka uruar shërim sa më të shpejtë.

Në letër, më tej thuhet se në këtë kohë të vështirë, Republika e Kosovës është pranë Republikës së Turqisë dhe popullit turk dhe është e gatshme, mbi bazën e kapaciteteve të saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe ekipet mjekësore, që të ndihmoj në kalimin e kësaj tragjedie.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb