Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka komentuar deklaratën e akademikut serb, Vladimir Kostiç, ku ky i fundit tha se Kosova nuk është Serbi.

Vuçiç tha se ka se ka mendime të kundërta me kryetarin e Akademisë Serbe dhe se “pothuajse për asgjë nuk jam dakord me të. Por, duhet të bisedojmë dhe tolerojmë njëri-tjetrin, dhe jo t’ia shajmë nënën dikujt nëse mendon ndryshe”. Mes të tjerash Vuçiç shtoi se; “Ai është një njeri që tregoi guxim dhe përgjegjësi për të shprehur një qëndrim që nuk është i shumicës, ashtu si filluan sulmet kur përmenda se duhej bërë përkufizimi i kufirit [me Kosovën]. Më sulmuan nga të gjitha anët, dhe askush nuk më ofroi kurrë një alternativë, përveç ‘prisni’. Dhe çfarë do të presim? As vet nuk e di se çfarë do të presim”.

Vuçiç, në televizionin “Happy” tha se pajtohet me kreun e Akademisë Serbe lidhur me status quo-n në Kosovë.

Të përkujtojmë se akademiku Kostiç paralajmëroi për pasojat negative të ruajtjes së asaj situate, duke thënë se një gjë e tillë në të vërtetë nuk ekziston, “status quo do të përdoret nga ata që në të vërtetë duan ta formojnë shtetësinë e tyre në mënyrën siç kanë bërë për 20 vjet”.
“Sa i përket konfliktit të ngrirë, unë mendoj njëlloj si akademiku Kostiç. Është në pyetje vetëm se kush do të jetë i pari që do ta nxjerr shpatën. A do të ndodhë kjo për pesë, 10 apo 20 vjet … A do të dëshironit që fëmija juaj të merrte pjesë në atë? Unë kam dy djem dhe nuk do të doja. Nuk do të doja që dikush një ditë t’mi kthejë në arkivol. Natyrisht, sikur që nuk do të doja të them se ‘Kosova dhe Metohia’ është e tyre, apo diçka të ngjashme. Sidoqoftë, duhet të ulemi për të biseduar, për të rënë dakord mes nesh, për të qenë korrekt dhe të drejtë dhe për të thënë se çfarë është një zgjidhje kompromisi. Nëse nuk kemi një mundësi, atëherë të gjejmë dhjetë mundësi për të ruajtur paqen, nëse është fare e mundur. Mendoj se është një qasje racionale dhe serioze. Fakti që ne do t’i bërtasim presidentit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, sepse ne jemi patriotë të mëdhenj … Dhe për çfarë janë më mirë disa prej nesh? Për atë që kemi më shumë xhipa, Maserati dhe Ferrari? Ai është budalla dhe ju jeni i zgjuar? Ka të vërtetë në atë për çfarë ai po fliste, ka gjëra që unë mendoj se mund të marrim më shumë, nuk mund të pajtohem plotësisht”, tha Vuçiç.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: