Autoritetet e Kosovës kanë rikonfirmuar se masa e reciprocitetit ndaj Serbisë për transportin e naftës dhe gazit do të vazhdojë, derisa kjo e fundit të pranojë certifikatat (të njohura si ADR), që lëshohen nga autoritetet e Kosovës, për shoferët dhe automjetet që bartin materie të rrezikshme.

Qeveria e Kosovës vendimin për masë reciprociteti ndaj Serbisë në këto produkte e kishte marrë më 21 mars të këtij viti.

Ky vendim erdhi, pasi që autoritetet e Serbisë fillimisht, kishin refuzuar të njohin certifikatat e shoferëve dhe automjeteve kosovare që bartin materie të rrezikshme.

Ndërkohë, lidhur me këtë çështje gjatë ditës së djeshme janë zhvilluar bisedime në Vjenë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por që kanë përfunduar pa rezultate.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka treguar për mospajtimet që kanë pasur me palën serbe gjatë këtij takimi.

“Pas negociatave të vështira që i kemi pasur nuk ka pasur rezultate. Pala serbe është arsyetuar me faktin se Kosova nuk është anëtare e konventës së certifikatave të ADR-së dhe anëtare e OKB-së, mirëpo argumenti ynë ishte që Kosova ka me shumë shtete njohje të këtyre certifikatave dhe këto argumente nuk janë të qëndrueshme, dhe pas shumë përpjekjeve nuk pati rezultati. Qëndrimi jonë është që derisa të mos ketë njohje të certifikatave ne do t’i mbajmë masat e reciprocitetit”, ka bërë të ditur Tahiri.

Ministrja Tahiri, ka shtuar se përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, gjatë gjithë procesit të bisedimeve janë angazhuar që pala serbe të bindet dhe të arrihet marrëveshja.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: