Takimi mes Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Vuçiçit është paralajmëruar për në 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë. “Në Shtëpinë e Bardhë, me sa di, do të ketë biseda për çështje ekonomike mes Beogradit dhe Prishtinës. Por, nuk përjashtoj as temat e tjera…”, tha Vuçiç.

Sidoqoftë, Kosova nuk po shkon e unifikuar në takim. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, për koalicionin qeverisës që përbëhet nga LDK, AAK dhe Nisma, ka thënë se të gjithë janë pajtuar që dialogun me Serbinë e bëjnë për njohje reciproke.

“Nesër, diskutimet që bëhen në Bruksel janë për njohje reciproke. Nesër do të diskutohet çështja e bashkëpunimit ekonomik”, tha Hoti. Ai ka kërkuar nga partitë opozitare që t’i propozojnë nga një përfaqësues që ta marrë në Shtëpinë e Bardhë. “Jemi duke e finalizuar delegacionin, që kryesohet nga unë në bazë të Kushtetutës. Do të përfshihen të gjithë, pa përjashtim”, ka thënë Hoti në një konferencë për media.

Ai sqaroi se ka dërguar letra te partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje e PDK-ja, për t’i propozuar përfaqësues që do të përfshiheshin në delegacion.

“Do të jem i hapur që të krijojmë një ekip gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike”. Por Lëvizja Vetëvendosje e ka refuzuar ftesën e Kryeministrit për të dërguar përfaqësues në delegacionin e Kosovës në Uashington. Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Përparim Kryeziu, ka thënë se kjo parti nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese, pasi “Kjo qeveri është jolegjitime dhe jokredibile sepse nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe nuk buron nga vota në zgjedhjet e fundit… I mungon platforma me parime dhe vija të kuqe për procesin e dialogut…”.

Edhe Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi mbi takimin e Uashingtonit, ku tha se Kryeministri Hoti nuk duhet në asnjë mënyrë që të lejojë të ngrihen në tryezë për bisedime çështje si Ujmani apo Trepça. Ajo, në një bashkëbisedim me përfaqësues të diasporës shqiptare në SHBA, ka theksuar se suksesi i Kosovës në dialog dhe uniteti rreth dakordimeve që dalin nga dialogu, është i mundur vetëm “nëse plotësohen katër mungesa, të cilat aktualisht i ka ky proces:

Mungesa e legjitimitetit; mungesa e platformës; mungesa e transparencës; mungesa e mandatit për negocim nga Kuvendi për Qeverinë aktuale”. Të mërkurën, mediat serbe kanë ripublikuar një lajm të vitit 2018, kur Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kishte paralajmëruar se do të vizitonte liqenin e Ujmanit.

Lajmi u hoq shumë shpejt, por arsyet se pse disa media të caktuara serbe kanë vendosur ta ripublikojnë një lajm të tillë në këtë kohë, si dhe rikthimi i idesë së shkëmbimit të territoreve nga disa politikanë në Kosovë kanë ngritur dyshime.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: