Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se hezitimi që të pranohen sugjerimet e partnerëve strategjikë, saktësisht SHBA, në një situatë kaq vendimtare, mund të kenë pasoja të rënda për vendin.

Përmes profilit të tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ai i ka bërë thirrje Kryeministrit dhe Presidentes që të reflektojnë, të rreshtohen me aleatët për ta përmbyllur njëherë e përgjithmonë marrëveshjen me njohje reciproke me Serbinë.

“Kosova po kalon momente të vështira, për shkak të kryeneçësisë së Kryeministrit dhe pavendosmërisë së Presidentes! Kosova po kalon momente vendimtare e as ata e as ndjekësit e tyre, nuk janë duke e kuptuar rrezikun që paraqet izolimi nga aleatët perëndimorë dhe veprimet që janë përmbysje e gjithë asaj që është arritur deri më sot”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se “hezitimi që të pranohen sugjerimet e partnerëve tanë strategjikë, posaçërisht ShBA-së, në një situatë kaq vendimtare, mund të kenë pasoja të rënda për vendin”.

“Kryeministri e ka momentin e fundit të heqë dorë nga kursi i mosveprimit e të kalojë në anën e duhur. Vetëm kështu, e të koordinuar me Amerikën dhe BE-në, fitohet beteja e finale me Serbinë. Është thirrja ime e fundit që Kryeministri dhe Presidentja të rreshtohen me aleatët dhe ta mbyllim njëherë e përgjithmonë marrëveshjen me njohje reciproke me Serbinë. Mos e përjashtoni veten nga ky proces!”, ka thënë Haradinaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: