TIRANE- Kandidati i APPD-së, Halim Kosova në një konferencë nga selia e PD-së, pranoi humbjen në zgjedhje dhe uroi rivalin e tij Veliaj, ndonëse tha se ai nuk bëri një fushatë luksi por një fushatë për qytetarin.

“Falenderoj PD, komisionerë, numërues e vëzhgues për të garantuar deri në fund vullnetin e qytetarëve. Ata kanë në dorë votat për këshillin bashkiak, falenderoj ekipin tim të zemrës. E uroj dhe shpresoj që ai të mbajë premtimet, të mos zhgënjejë qytetarët”,-tha Kosova.

Ndër të tjera Kosova tha se, “Angazhimi im për të marrë përgjegjësi do vijojë i palëkundur”.

FJALA E PLOTE
“Të dashur miq,
Bashkqytetarë të Tiranës!
Jam këtu sot, për të shprehur falenderimet e mia të përzemërta për qytetarët
e Tiranës, pa asnjë dallim partiak, veçanërisht ata që votuan me besim në
platformën time që kishte themel punën dhe dinjitetin, punë jo fjalë.
Në këto dy muaj, kam pasur qindra takime me banorë të Tiranës dhe
bashkëbisedimi me ju të dashur bashkqytetarë do të mbetet një prej
përvojave të mia më të çmuara.
Unë zgjodha kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarin në çdo cep të Tiranës, në
çdo rrugë e lagje, në çdo fshat dhe jo fushatën e luksit në ekran, i bindur se
kjo ishte zgjidhja më e mirë.
Dua të falenderoj Partinë Demokratike, anëtarët e simpatizantët tanë, të rinjtë
e të rejat që shkuan derë më derë, komisionerët, numëruesit, vëzhguesit, që
kanë punuar pa u lodhur dhe që shumë prej tyre janë ende duke qendruar
pranë votës, për të garantuar deri në fund vullnetin e qytetarëve. Ata kanë në
dorë një tjetër moment të rëndësishëm, që janë votat për Këshillin Bashkiak.
Falenderoj nga zemra ekipin tim të fushatës, që punoi me shumë përkushtim.
Zgjedhjet mbaruan dhe ndërsa numërimi ende vazhdon, fituesi i kësaj gare
rezulton Erion Veliaj të cilin dua ta uroj dhe të shpresoj që do ti mbajë
premtimet e nuk do ti zhgënjejë qytetarët e Tiranës.
I premtoj qytetarëve të Tiranës se angazhimi im për të marrë përgjegjësi në
interes të tyre do të vazhdojë pa u ndalur asnjë çast”
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: