Kreu i Shoqatës Vatra në SHBA, Elmi Berisha, kritikoi ashpër politikanët kosovarë, të cilët janë në krizë për krijimin e qeverisë, pikërisht në këtë periudhë të vështirë të pandemisë.

Duke folur në një lidhje me “Skype” për News24, Berisha tha se shqiptarët e SHBA janë shumë të zhgënjyer me politikanët e Kosovës, të cilët sipas tij, nuk e kanë luksin të merren me çështje që mund të zgjidhen edhe më vonë.

Kosova u përfshi në debate të forta politike në mes të pademinsë, sa ra dhe qeveria. Cili është mesazhi juaj?
Jemi shumë të shqetësuar për situatën në Kosovë, posacërisht në kohën kur gjithë bota po lufton një virus vdekjeprurës, që ka marrë qindra mijëra jetë, gjen luksin që shteti më i ri në botë të merret me çështje që mund të zgjidhen edhe më vonë. Nuk ndihemi fare mirë. Sikur mos të ishin shqiptaro-amerikanët do ishte shumë e vështirë të pranohej ky kufi që është tani, Shqipëria.

Edhe më vonë u bënë përpjekje për të sensibilizuar shtetin e Kosovës. Ne ndihemi shumë të parespektuar dhe nuk ndihemi mirë, sepse në situate të tilla duhet të mobilizohet populli shqiptar për të kaluar kriza, që kanë kapluar botën. Duhet të respektohet Kushtetuta në Kosovë. Por, shëndeti i qytetarëve është dhe duhet të jetë i pari, pastaj qeveria. Uashingtoni kërkon një unitet, që do të ishte përfundimtar për përfundimin e konfliktin me Serbinë. Në vend që të përgatitemi për këtë, ne humbim energji me gjëra dytësore.

Cili është mendimi i Vatrës ndaj politikës së Presidentit Trump në Ballkan dhe mes Kosovës e Serbisë?
Të gjithë shqiptarët e Amerikës kemi shumë arsye që ta besojmë Uashingtonin, Kongresin, Senatin, Pentagonin. Jam shumë i relaksuar për faktin që Presidenti Trump është duke investuar shumë për njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë. Mendojmë se asnjëherë Amerika nuk do të bënte dicka që nuk është e mirë për shqiptarët. Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të bëhen transparente sa më parë. Mungesa e transparencës e ka sjellë deri këtu situatën. Edhe liderët e Kosovës duhet sa më parë të koordinohen, të ulen së bashku, të bashkojnë forcat, të koordinohen me SHBA dhe të përfundojnë këtë ankth, që qëndron ende te shqiptarët.

Proceset e Vatrës vazhdojnë?
Më 19 janar të këtij viti mbajtëm takimin zgjedhor, ku u zgjodha kryetar I Vatrës për dy vitet e ardhshme. Unë e kam quajtur si Vatra e shekullit 21, do hapim dyert për të gjithë shqiptarët, do krijojmë një atmosferë atraktive për gjeneratat e reja dhe do krijojmë një bazë të fuqishme, që Vatra të vijojë qindra vite në vijim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb