Afirmimi i shtetit të Kosovës në botë dhe anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtarë, është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës dhe në këtë aspekt institucionet e Kosovës janë duke bërë të gjitha përpjekjet për anëtarësimin e vendit në dy mekanizma ndërkombëtarë, në INTERPOL dhe në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Arsim (UNESCO), konfirmojnë zyrtarët e ekzekutivit të vendit.

Në rubrikën e përjavshme “FOKUS”, të Radios Evropa e Lirë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, si dhe njohës të çështjeve të sigurisë dhe zhvillimeve në vend, thonë se me anëtarësimin në këta dy mekanizma ndërkombëtarë, përveç përfitimeve në fushëveprimet konkrete të këtyre mekanizmave, Kosova do të përfitonte edhe në rritjen e subjektivitetit dhe prestigjit të saj ndërkombëtar.

Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzekutivi tashmë është duke punuar në përmbushjen e të gjitha kushteve për anëtarësim në këta dy mekanizma.

“Sa i përket çështjeve teknike që duhet përmbushur, do të thotë, kritereve për INTERPOL, Qeveria e Kosovës është gati dhe sigurisht që sivjet do të aplikojë. Kurse, edhe për UNESCO, Kosova tashmë është gati. Dy ligjet, për trashëgimi kulturore dhe për fetë, janë proceduar në Kuvendin e Kosovës. Dikasteret përkatëse vlerësojnë se Kosova i ka edhe numrat e nevojshëm (të vendeve që votojnë), që të bëhet pjesë e këtyre dy mekanizmave”, thekson Matoshi.

Strategji e re për në INTERPOL?
Kosova kishte aplikuar edhe vitin e kaluar për anëtarësim në mekanizmin ndërkombëtar policor, INTERPOL. Ajo ishte futur në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të Interpolit, në mënyrë që të votohej për pranimin e saj në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të kësaj organizate, e cila u mbajt më 17 shtator të vitit 2017, në Pekin. Përderisa Palestina dhe Ishujt Solomon ishin pranuar në këtë organizatë, Kosova kishte tërhequr kandidaturën e saj.

Skënder Hyseni, ish-ministër i Punëve të Brendshme dhe i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, në dy mandatet e kaluara qeverisëse, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se tërheqja e Kosovës nga kandidimi i saj për anëtarësim në INTERPOL, në vitin e kaluar, ka qenë një hap i gabuar.

“Sa i përket vetë procedurës, unë e them me shumë keqardhje se Qeveria aktuale e Kosovës ka bërë një gabim, kam frikë, të rëndë strategjik me tërheqjen e aplikacionit vitin e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it në Pekin. Unë vetëm uroj që kërkesa për tërheqje nga votimi të jetë bërë duke marrë garanci nga INTERPOL-i, se me automatizëm Kosova do të futet në agjendë për votim, sivjet, në Asamblenë e këtij viti, që mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, diku në vjeshtë”, thotë Hyseni.

Por, mendim tjetër ka Donika Emini, analiste në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë. Duke folur për Radion Evropa e lirë, ajo thekson se nëse merret parasysh lista e vendeve që kanë votuar për pranimin e Palestinës dhe Ishujve Solomon në INTERPOL, mund të shihet se shumica e atyre shteteve nuk e njohin Kosovën dhe rrjedhimisht, pranimi i saj ka qenë me mjaft pikëpyetje.

“Nëse do të votohej aty, në atë sallë, me ato shtete, Kosova vështirë se do të mund t’i merrte votat. Pastaj, tërheqja ka qenë e mirë, për shkak se nëse nuk do të votohej, do të ishte debakël në arenën ndërkombëtare për Kosovën, në politikën e jashtme. Kështu që, është më mirë që sivjet është shkuar në mënyrë më strategjike. Por, e rëndësishme është të thuhet se nëse Kosova merr pëlqimin nga Komiteti Ekzekutiv (i INTERPOL-it), është shumë me rëndësi që Ministria e Punëve të Jashtme të fillojë lobimin në mënyrë shumë pro-aktive, në mënyrë që të sigurojë votat e të pranishmëve në sallë”, vlerëson Emini.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Besnik Hoti, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se është punuar intensivisht për të siguruar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

“Ministri i Punëve të Jashtme, (Behgjet) Pacolli, ka ndërmarrë të gjitha veprimet, në kuadër të kompetencave, që Kosova të bëhet anëtare e INTERPOL-it dhe me këtë të përmbyllet korniza e sigurisë në rajon”, thekson Hoti.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Flamur Sefa, nuk ka dashur që të flasë lidhur me përgatitjet për aplikimin e Kosovës në INTERPOL, me arsyetimin “për të mbrojtur procesin”. Por, ish -ministri Hyseni dhe analistja Emini, theksojnë se në bazë të informacioneve të tyre, kjo ministri është duke punuar seriozisht lidhur me këtë kandidim.

Rruga drejt UNESCO-s, më e vështirë
Ndryshe nga mundësia e sivjetme që Kosova të aplikojë për në INTERPOL dhe eventualisht edhe të pranohet, mundësia eventuale e Kosovës për anëtarësim në UNESCO do të jetë vetëm në vitin 2019, kur edhe pritet Konferenca e Përgjithshme e kësaj organizate.

Megjithatë, zëvendësministri Hoti thotë se Kosova po bëhet gati edhe për këtë sfidë.
“Ministria e Punëve të jashtme e ka finalizuar propozim-kornizën për strategjinë për procesin e aplikimit në UNESCO 2019. Duke qenë se procesi i anëtarësimit në UNESCO kërkon mobilizim gjithëpërfshirës institucional të bazuar në planifikim të procesit dhe veprime të koordinuara ndërinstitucionale, dokumenti përmban kornizën që parashikon reformat legjislative, krijimin e mekanizmave gjithëpërfshirës koordinues në nivel nacional, si dhe fushatë të fuqishme diplomatike të koordinuar me partnerët tanë ndërkombëtarë”, thekson Hoti.

Kosova tashmë ka dështuar një herë për t’u anëtarësuar në UNESCO.
Ish-ministri Hyseni shpreh mendimin se diplomacia e Kosovës nuk guxon ta bëjë gabimin e njëjtë me atë të vitit 2015, kur sipas tij, nuk është punuar mjaftueshëm me vendet, të cilat e kanë njohur Kosovën. Sipas tij, aktualisht nuk ka sinjale për një vazhdimësi të ruajtjes së raporteve dhe kanaleve të komunikimit me vendet që e kanë njohur Kosovën, por edhe me ato që nuk e kanë njohur.

“Ka një moskuptim të veprimit në rrafshin diplomatik, sepse gjërat merren si të garantuara. Në momentin që të ka njohur një shtet, ne sikur e marrim se e kemi të garantuar përkrahjen e atij shteti dhe kjo nuk ndodh ashtu në rrafshin diplomatik. Shenjat dhe sinjalet që vijnë kohëve të fundit, nuk janë shumë të mira dhe nuk janë shumë premtuese”, konsideron Hyseni.

Më 9 nëntor të vitit 2015, Kosova nuk kishte arritur të bëhej pjesë e UNESCO-s për mungesë të tri votave në favor të pranimit të saj. Për pranimin e Kosovës në UNESCO nevojiteshin 95 vota “për”, që nënkuptonin dy të tretat e votave të përgjithshme të vendeve pjesëmarrëse në Konferencë e Përgjithshme të UNESCO-s, e cila u mbajt në Paris. Në favor të pranimit të Kosovës patën votuar 92 vende. /rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb