STRASBURG- Kosova ka siguruar sot përfaqësimin e saj në Asamblenë e KiE. Fill pas lajmit, kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili përshëndeti votimin e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës lidhur me zbatimin e paragrafit të 13-të të Rezolutës 2094 (2016) për situatën në Kosovë dhe rolin e Këshillit të Evropës, i cili parashikon ngritjen e nivelit të bashkëpunimit të APKE-së me Kuvendin e Kosovës. Vasili, i cili po merr pjesë në punimet e Sesionit të Katërt të Rregullt të APKE-së si pjesë e delegacionit shqiptar, e cilësoi këtë vendim historik dhe theksoi se integrimi është i pandalshëm.

“Vendimi i KiE për Kosovën është historik. Kjo është një ditë e veçantë për Kosovën. Integrimi i Kosovës është i pandalshëm. Tashmë, Kosova do të ketë delegacionin e saj në Strasburg dhe e drejta e fjalës së Kosovës tashmë është një e drejtë e fituar. Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës vendosi se Kosova që prej janarit të vitit 2017, ka të drejtë të caktojë një delegacion prej tre (3) anëtarësh, ku do të përfaqësoheshin pozita, opozita dhe minoritetet.

Delegacioni kosovar
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga nënkryetarët Xhavit Haliti dhe Aida Dërguti, vijon punimet e Sesionit të Katërt të Rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE). Gjatë punimeve, më 5 shtator 2016, Byroja e APKE-së ka marrë vendim lidhur me zbatimin e paragrafit të 13-të të Rezolutës 2094 (2016) për situatën në Kosovë dhe rolin e Këshillit të Evropës, i cili parashikon ngritjen e nivelit të bashkëpunimit të APKE-së me Kuvendin e Kosovës, bën të ditur një komunikatë nga Kuvendi.

Sot, gjatë Sesionit të Katërtë të Rregullt të APKE-së ky vendim u ratifikua me shumicë votash. Sipas këtij vendimi, që prej janarit të vitit 2017, Kosova ka të drejtë të caktojë një delegacion prej tre (3) anëtarësh, ku do të përfaqësoheshin pozita, opozita dhe minoritetet, njofton komunikata.

Përfaqësuesit e Serbisë dhe vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën kanë lobuar që t’ia pamundësojnë delegacionit nga Kuvendi i Kosovës pjesëmarrjen në punimet e APKE-së. Delegacioni i Kosovës në bashkëpunim me delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë, të cilin e udhëheqë Valentina Leskaj, si dhe me anëtarët e shteteve mike të Republikës së Kosovës, zhvilluan lobim të fuqishëm. Përfaqësimi i Kosovës në APKE përbën mundësi për lobim për Kosovën, si dhe për përfitim të asistencave të ndryshme në ndërtimin dhe zhvillimin e diplomacisë parlamentare, të cilat ofrohen nga Këshilli i Evropës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb