TIRANË-Kandidati i Partisë Demokratike për kreun e bashkisë së Tiranës, Halim Kosova zhvilloi një takim përmbyllës me qytetarët e Njësisë 5, në kryeqytet. Kosova u shpreh se me qytetarët na bashkon ndershmëria, ndërsa pas 3 ditësh na pret fitorja e përbashkët. Kosova tha se pas 3 ditësh qytetarët duhet të bëjnë një zgjedhje, zgjedhje që sipas tij do tu japë zgjidhje problemeve dhe halleve të qytetarëve. Më tej, Halim Kosova u shpreh se secili duhet të vendosë vetë për drejtimin e jetës në 4 vitet e ardhshme, ndërsa nuk duhet lejuar që politika që luajë me qytetarët.

Më poshtë deklarata e plotë e Halim Kosovës në Njësinë nr. 5 në kryeqytet:
”Miqtë e mi.
Ju falenderoj nga zemra.
Mikpritjen tuaj, besimin tuaj e kam ndjerë që në ditën e parë të fushatës e deri sot që jemi mbledhur kaq të shumtë në numër, për të lënë takimin tjetër të rëndësishëm që është pasnesër.
Pas tre ditësh ne kemi shansin të bëjmë një zgjedhje;
Eshtë një zgjedhje për të gjetur zgjidhje për shqetësimet, hallet e kërkesat tona të përditshme.
Eshtë një zgjedhje për të bërë një ndryshim historik; që Bashkinë e Tiranës ta marrin qytetarët e Tiranës. Qytetarët e Tiranës, secili nga ju, të vendosni vetë për drejtimin e jetës tuaj këto 4 vite.
Të sjellim ndryshimin, të mos e lejojmë më politikën të luajë me këtë qytet. Ky është qyteti ynë.
Ne e duam Tiranën.
Unë banoj në këtë njësi, në njësinë 5. Deri dy muaj më parë kam pasur privilegjin të jem dhe përfaqësuesi juaj në Parlament.
Kanë krijuar një mit për këtë zonë të Tiranës. Jo e majtë, jo Stalingrad. Unë i refuzoj me përbuzje këto etiketime. Këto janë damka që i ka vendosur politika që nuk i ka trajtuar qytetarët e Komunës së Parisit dhe të njësisë 5 me respektin e duhur. Dhe sidomos, nuk i ka trajtuar me respekt ajo pjesë e politikës që e ka marrë si të mirëqënë, e ka konsideruar këtë njësi si hambarin e votave të saj dhe nuk është kujtuar të bëjë asgjë për të përmirësuar jetën tuaj, menjëherë pas ditës së zgjedhjeve.
Unë them se Njësia 5, është një njësia e qytetarëve të nderuar, të ndershëm e punëtorë që meritojnë vemendje, meritojnë shërbim, meritojnë të shohin produktin e vërtetë, arsyen pse duhet të ekzistojë pushteti, pra të marrin në këmbim ato gjëra që janë legjitime, pas kontributit të dhënë gjithë jetën.
Për këtë them, se ka ardhur momenti për një ndryshim historik. Që zona juaj, lagjia juaj, rruga juaj, pallati juaj, shpëtia juaj, të mos konsiderohet si hartë votash për interesat e kalkulimet politike.
Unë jam këtu që të shërbej çdo ditë, 24 orë në ditë, pa pushim. Vetëm një gjë kam në zemër e në mendje. Interesin tuaj, interesin e qytetarëve.Nuk hyj në këtë sipërmarrje për të bërë karrierë a llogari politike. E kam bërë zgjedhjen time me zemër.
Kam prezantuar për njësinë 5 dhe për Farkën një projekt të detajuar. Investime dhe ndërhyrje në infrastrukturë që do të ndryshojnë, do të përmirësojnë jetën tuaj aty ku banoni.
Kemi bërë llogaritë me specialistët më të mirë të fushës, dhe kemi dalë në përfundimin se do të sjellim ujë 24 orë. Jam angazhuar për një qytet të pastër e të gjelbër.
Programi im ka lindur nga takimet me ju, nga shkëmbimet e bisedave, nga dëgjimi i halleve dhe shqetësimeve.
Po sigurisht ju nuk keni vuajtur se kanë munguar programet e premtimet në letër.
Unë nuk jam një politikan tipik. Kam një vizion timin, që afrohet shumë me atë vizion që kanë qytetarët e ndershëm të Njësisë 5, Farkës e gjithë Tiranës, për punët e tyre.
Caktoj objektiva, vendos standarde dhe i mbikqyr projektet deri në detaje, derisa ato të realizohen. Derisa uji të vijë në shtëpitë tuaja, derisa rruga të vijë në lagjen tuaj, derisa lulishtja të ndërtohet poshtë pallatit, derisa fëmijët të kenë këndin e lojërave e të moshuarit një vend për tú shplodhur.
Nuk heq dorë kollaj. Eshtë pasioni im ti ndjek gjërat deri në fund. Këtë kam bërë gjatë gjithë jetës time, gjatë menaxhimit e drejtimit të sektorëve mjaft të rëndësishëm.
Unë besoj se shumica absolute e qytetarëve të Tiranës janë të ndershëm, kanë integritet dhe e vlerësojnë transparencën. Besoj se shumica absolute e qytetarëve të Tiranës e urrejnë korrupsionin, rryshfetin, abuzimet me fondet publike.
Ky është një moment i rëndësishëm takimi për ne. Ky është vendi ynë i takimit. Këto parime na kanë bërë bashkë në këtë fushatë. Na kanë bërë bashkë në këtë rrugë të cilën do ta cojmë deri në fund. Nuk ka çmim që e blen integritetin tim, nuk ka çmim që e blen ndershmërinë tuaj, votën tuaj, verdiktin tuaj Sovran.
Kundërshtarët kanë shpenzuar miliona për postera, reklama e sondazhe të blera. Ata harrojnë se nuk blihet e vërteta, nuk blihet e shkuara, nuk blihet e ardhmja.
Nuk blihet vendimi që qytetarët e Tiranës e kanë marrë tashmë.
Ja ku jemi sot bashkë. Eshtë një nisje e re kjo. Na ka mbledhur ndershmëria e pastërtia. Qytetarët e Tiranës, unë e di se e kanë bërë zgjedhjen e tyre. Kjo do të jetë një sfidë për këdo që mendon se mashtrime, e me vjedhje ecet përpara e bëhet karrierë.
Qyteti është i yni. Ne do të vendosim. Vota jonë do të sjellë ndryshimin, të majtë e të djahtë, të qendrës e paparti, të rinj e të reja, për një qytet të zhvilluar, për një Tiranë të pastër, për një Tiranë miqësore e pa konflikt politik, për kryeqytetin tonë europian që e duam aq shumë. Me punë e jo fjalë.
Ju falenderoj dhe takimi tjetër pas tre ditësh.
Të sjellim në fuqi bashkimin tonë, fitoren tonë përbashkët”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: