Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se situata epidemiologjike në Kosovë është e brishtë, prandaj, bazuar në këtë situatë, nuk pret që masat kundër COVID-19 të lehtësohen pas datës 13 shtator, deri kur janë në fuqi masat e reja.

Ai tha se për masat do të diskutohet gjatë takimit të së mërkurës të komitetit për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.

“Nuk do të ketë lirim të masave në asnjë mënyrë derisa kemi një situatë të brishtë”, tha Vitia, gjatë një konference për media më 8 shtator, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Pas 13 shtatorit, sipas Vitisë, administrata shtetërore dhe shërbyesit civilë duhet të paraqesin test negativ PCR ose serologjik në mënyrë që të mund të hyjnë në vendet e punës. Ai shtoi se testimi i punonjësve publikë është i pamundur që të bëhet në institucionet publike, por sipas ministrit Vita, teste të tilla mund të bëhen në laboratore të ndryshme, që ofrojnë këto shërbime.

Vitia po ashtu tha se javën e fundit, ka rënë përqindja e personave që po dalin pozitiv me koronavirus në një mesatare prej 10 për qind nga 20 sa ishte javë më parë. Ai u bëri thirrje veçanërisht grave shtatzëna, grave gjidhënëse dhe të rinjve që të vaksinohen kundër koronavirusit.

Ai po ashtu bëri të ditur se ka vaksina të mjaftueshme kundër koronavirusit dhe se MSH-ja veçse ka filluar negociatat për sigurimin e 1 milion vaksinave të tjera për vitin e ardhshëm.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, dërguar Radios Evropa e Lirë, deri më 6 shtator, 17 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës është vaksinuar plotësisht kundër COVID-19.

Ndërkaq, dozën e parë e ka marrë 35 për qind e popullsisë.

/REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb