LEZHË- Mbi 120 minuta i janë dashur sot një pushuesi për të udhëtuar nga Shëngjini në Lezhë, kur në një ditë normale duhen vetëm 10.

Mijëra vizitorë nga Kosova dhe nga brenda vendit janë dyndur në plazhet e Shëngjinit dhe prishja e motit me nisjen e reshjeve të shiut për pak minuta, ka bërë që të gjithë pushuesit të lënë çadrat dhe detin për të marrë rrugën e kthimit.

shengjin trafik 2

Kjo gjë ka sjellë bllokimin e lëvizjes e një trafik jo të zakonshëm, duke nisur që nga plazhi i Ranës së Hedhun e deri në kryqëzimin e Shëngjinit, nga ora 13:00 deri në orën 16:30. Më pas ka pasur sërish radhë të gjata në autostradë deri në kryqëzimin e rrugës së Kosovës.

Me gjithë praninë e policisë rrugore, ka qenë e pamundur lëvizja dhe shoferëve iu është dashur të presin me makinat ndezur përreth dy orë. Trafiku i rënduar është i zakonshëm gjatë stinës së verës në Shëngjin për shkak të numrit të madh të turistëve por dita e sotme ka qenë ndoshta më e ngarkuara për sezonin që sapo ka nisur.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb