Një kosovar me vite i ushqen belgët me patatet e skuqura të famshme të Belgjikës.

Kemal Vuciterna, i cili drejton një nga dyqanet më të vjetra të patateve të skuqura në kryeqytetin Bruksel për 33 vjet, tregoi se sekreti për patateve të mira të skuqura qëndron në llojin e patates, vajin e përdorur dhe teknikën e gatimit.

Vuciterna, dyqani i të cilit gjendet menjëherë pranë Kishës historike Notre Dame në zonën turistike të Brukselit Sablon, tashmë 33 vite përgatit patate të skuqura.

Vuciterna, një nga përgatitësit më të vjetër të patateve të skuqura në Bruksel, ndau sekretin për përgatitjen e patateve të skuqura dhe historinë e tij.

I lindur në qytetin e Prizrenit, ai ka jetuar në Kosovë deri në moshën 15-vjeçare, ndërsa në vitin 1980 ka ardhur në Bruksel, me çka ka filluar historia e tij tek dyqani për patate të skuqura, të cilin xhaxhai i tij e kishte hapur para 47 viteve.

“Shkollën fillore e kam kryer në Kosovë. Kam mësuar turqisht. Pastaj në moshën 15-vjeçare erdha këtu te xhaxhai im. Kur erdha këtu, xhaxhai im punonte me një grek. Këtu mësova tre vite. Pastaj fillova të punoj këtu. Kur nuk kisha shkollë, vija këtu për të punuar. Historia ime filloi këtu. Unë nuk di gjë tjetër”, u shpreh ai.

Sekreti i patates së skuqur të mirë

Kemal Vuciterna dha recetën se si të bëhen patate të skuqura të mira që duken si të thjeshta. Ai theksoi se është i rëndësishëm lloji i patates, vaji i përdorur dhe teknika e gatimit për patate të skuqura të mirë, duke treguar se pse patatet e skuqura të Belgjikës janë të famshme:

“E para, lloji i patates. Kësaj i thonë Bintje. Është patatja më e mirë për të bërë patate të skuqura. Këtu kultivohet. Kultivohet edhe ne Holandë, Luksemburg. Patatet e skuqura më të mira bëhen nga këto. Përdorim vaj misri. Me atë bëhet mirë patatja. Ndonjëherë kur unë i përgatiti i shtoj vaj ulliri. Shtoj prej asaj me kualitet. I jep shije pikante”.

Pas llojit të patates dhe vajit që përdoret, Vuciterna foli edhe për teknikën e skuqjes. Ai tha se përdor patate të freskëta dhe jo të ngrira.

“Patatja skuqet dy herë. Herën e parë e skuqim pak. Bëhet gjysmë i pjekur. Në skuqjen e parë zbutet. E nxjerrim pasi të jetë gjysmë e skuqur në 125 gradë. Pasi i nxjerrim të pushojnë. Kur vijnë myshterijntë, hedhim një ose dy pako. Atëherë nxehtësia më e madhe. Mund të jetë prej 170 deri në 173”, tha Vuciterna.

Për një patate të skuqur të mirë, sipas tij, është e rëndësishme edhe si të prehet patatja dhe se sa milimetra e trashë duhet të jetë.

“Duhet të jetë 12 milimetra e trashë. Pasi të skuqen, kur ua japim myshterinjve, mbeten 7-10 minuta të nxehta. Jashtë bëhet krokante, brenda e butë. E shijoni pataten”, tha Vuciterna.

“Në familje flasim edhe shqip, edhe turqisht”

Kemali në javë çdo ditë punon nga 12 orë, ndërsa pushimet verore patjetër i kalon në Kosovë. Ai nuk dëshiron t’i ndërpresë lidhjet me Kosovën ku vëllezërit e tij jetojnë, ndërsa gjithashtu dëshiron të mbrojë gjuhën dhe kulturën.

Edhe pse asnjëherë nuk ka jetuar në Turqi, ai e flet mirë turqishten.

“Ne në familje flasim edhe shqip, edhe turqisht”, thotë ai.

Pasi të dalë në pension, ai planifikon të vendoset në Kosovë.

“Gjatë gjithë jetës kam punuar që të bëj një shtëpi të vogël, që edhe fëmijët e mi të vendosen andej. Më merr malli shumë për vendin tim. E dua shumë atdheun tim”, theksoi Vuciterna.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb