KOSOVË- Pas mesnatës makina e Ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqit është përfshirë nga zjarri. Mediat në Kosovë kanë publikuar edhe pamjet nga kjo ngjarje. Ministri Krasniqi ka pranuar se vetura është e tij, por për detaje të tjera ka kërkuar që të kontaktohet policia.

“Është vetura ime për të tjerat pyeteni policinë”, ka thënë shkurt Krasniqi. Zyrtarët e policisë deri në këto momente nuk kanë dalë me ndonjë deklaratë zyrtare për autorët apo shkaqet e zjarrit në makinë.

Pas djegies së automjetit të ministrit Memli Krasniqi, është djegur edhe një veturë, pronë e një zyrtari qeveritar. Kësaj radhe, është djegur vetura e gruas së këshilltarit të kryeministrit, Bajram Gecaj.

PDK: Djegia e veturës së Memli Krasniqi është përkrahur nga një subjekt politik
Dega e PDK-së në Prishtinë, dënon ashpër djegien e makinës, pronë e familjes së z. Memli Krasniqi, anëtar i Kryesisë së Degës së PDK-së në Prishtinë dhe Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

“Sulmet natën, në mënyrë tinëzare, djegia e pronave dhe pasurisë të qytetarëve dhe zyrtarëve publik, nga anarkistët e shekullit 21, të udhëzuar dhe përkrahur nga një subjekti politik, është mesazhi më i shëmtuar që mund t’u ipet qytetarëve tanë dhe tabloja më e errët që i shpërfaqet botës së qytetëruar”, deklaron PDK.

Sipas saj, ‘Kryeqyteti ynë dhe qytetarët e Prishtinës e kanë jetuar terrorin e djegies së makinave dhe pronave të tyre nga kriminel të tjerë në një kohë tjetër jo të largët. Ata s’ janë më në Prishtinë as në Kosovë, por duket fosilet diku u kanë ngelur!’

Dega e PDK-së në Prishtinë u kërkon organeve kompetente të sigurisë që ti përmbushin përgjegjësitë e tyre duke i identifikuar dhe dërguar para drejtësisë të gjithë ata që dëmtojnë dhe cenojnë pronën dhe jetën e qytetarëve tanë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb