KOSOVË- Lidhja Demokratike e Kosovës hapi sot fushatën para zgjedhjeve lokale të 22 tetorit. Por, në këtë ngjarje, që u mbajt në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë, nuk ishte i pranishëm asnjë anëtar i familjes Rugova, madje as deputetja që hyri në Kuvend përmes listës së LDK-së, Teuta Rugova.

Teksa të rinjtë e LDK-së mbanin pankarta me sloganin ‘Lidhja për secilën komunë’, kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, përmendi emrat e kandidatëve të LDK-së nëpër komunat e Kosovës, duke thënë që LDK do të mbajë komunat ku është në pushtet dhe do të fitojë aty ku nuk mundi në zgjedhjet e fundit.

Ndërkaq, familja e simbolit të kësaj partie, ish-Presidentit Ibrahim Rugova, nuk ishte e pranishme në hapjen e fushatës.

Përçarja mes të LDK-së dhe deputetes Teuta Rugova kishte filluar në kohën kur vendi ishte pa qeveri dhe koalicioni PDK-AAK-Nisma po kërkonte deputetë që të mblidhte 61 vota për ta formuar qeverinë. Pikërisht për këtë, atëkohë i nominuari për Kryeministër, Ramush Haradinaj, kishte takuar familjen Rugova në shtëpinë e tyre në lagjen Velania të Prishtinës, shkruan Gazeta Metro.

Pas takimit, Haradinaj kishte thënë që ka marrë mbështetjen e Rugovës për qeverinë e tij. Në seancën që pasoi, Teuta Rugova kishte vepruar ndryshe prej kolegëve të saj nga LDK, duke votuar pro një propozimi të PAN-it për shtyrje të seancës.

Më vonë, Mustafa kishte thënë që vota e Teuta Rugovës do të jetë sipas vullnetit të LDK-së, por në seancën ku u formua qeveria, Teuta Rugova mungoi. E bija e Ibrahim Rugovës është në mandatin e saj të dytë si deputete e Kuvendit, por numri i votave për të ka rënë shumë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2014.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb