KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga deklaroi sot gjatë një pritjeje me përfaqësues të mediave se viti 2015, do të jetë viti i reformave të thella.

Jahjaga ka falënderuar gazetarët për punën dhe angazhimin e tyre në përcjelljen e veprimtarisë së institucionit të Presidencës dhe ka shtuar se megjithë kundërshitë në lidhje me disa publikime, vlerëson lirinë e shprehjes dhe të shtypit.

 

“Ju falënderoj për gjithë punën dhe për gjithë angazhimin e juaj, që e keni përcjellë punën e Presidentit të vendit, që e keni përcjellë punën e institucionit të presidentit të vendit, edhe pse ndonjëherë nuk jemi pajtuar me ato që janë publikuar, por thjeshtë ajo është puna juaj, është profesioni juaj dhe kjo, megjithatë, është liria e shprehjes, liria e shtypit dhe është një proces për të cilin ne gjithmonë synojmë si shoqëri, synojmë si shtet dhe unë gjithmonë them se ju keni luajtur rolin tuaj në shoqërinë tonë dhe e vlerësoj punën tuaj, profesionalizmin tuaj, në mbikëqyrjen e demokracisë”, tha Jahjaga.

 

Presidentja e Kosovës vlerësoi se puna e gazetarëve nganjëherë, “na bën më të përgjegjshëm, na bën më llogaridhënës në punën tonë dhe në angazhimet tona dhe për vizionin e një shteti demokratik, një shteti të zhvilluar, një shteti të përparuar, ku sundon rendi dhe ligji, një shteti ku të gjithë qytetarët tanë e shohin të ardhmen e tyre përbrenda vet vendit të tyre, që e shohin perspektivën e tyre përbrenda vet shtetit të vet dhe një shtet që gjithsecili prej neve, duke filluar nga qytetari dhe të gjitha institucionet, është krenar për vendin e vet dhe për institucionet e tij”.

 

Jahjaga tha se viti 2015 është një vit në të cilin na pret një punë goxha e madhe, një angazhim shumë i madh i të gjitha institucioneve dhe qytetarëve tanë.

 

“Është një vit, unë i them i reformave të thella që duhet të ndodhin në shtetin tonë, reforma që është dashur të ndodhin ndoshta vite me radhë, por ne tanimë duhet ta zëmë hapin, sepse kemi një rrugë të gjatë të integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Të gjitha reformat në çdo shoqëri, edhe në ato më të avancuara demokratike, janë reforma të cilat në njëfarë mënyre hasin në rezistencë në mesin e qytetarëve, por janë reforma të dhimbshme, të gjithë i pranojmë ato, janë reforma të domosdoshme, që janë të ndërlidhura me mirëqenien dhe me përmirësimin e jetës së gjithsecilit qytetar të vendit”, theksoi numri një i Republikës së Kosovës.

 

Më tej Jahjaga u ka uruar gazetarëve festat e fundvitit. “Unë ju uroj festat e fundvitit juve, familjeve tuaja dhe, përmes juve, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të jetë vit i sukseseve dhe vit i mirëqenies së qytetarëve tanë, i prosperimeve të mëtutjeshme”, tha Presidentja e Kosovës.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb