Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve në Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut.

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së ka thënë në konferencë për media se Shpejtim Bulliqi (LVV), ka fituar  51.64 për qind, Nexhmi Rudari (LDK), 36.97 për qind dhe Naim Fetahu (PDK), 12.40 për qind.

Ndërkaq sa i përket rezultateve në Mitrovicën e Veriut, Lista Serbe me kandidatin Milan Radojeviq ka 89.86 për qind të votave, kandidati Erden Artiq nga LVV ka 3.68 për qind, Florent Azemi i PDK-së ka 3.54 për qind të votave dhe kandidati i pavarur Dushan Milionoviq ka 2.92 për qind të votave, shkruajnë mediat e Kosovës.

  • foto galeri

Daka ka theksuar se këto janë rezultatet preliminare të numëruara nëpër vendvotime. Sa i përket rezultateve përfundimtare, Daka tha se votat me kusht dhe ato me postë do të numërohen nesër.

Në Podujevë kanë votuar 40.51 për qind e votuesve, 7 për qind më pak se në zgjedhjet e vitit 2017. Ndërkaq në Mitrovicën e Veriut kanë dalë për të votuar 39.41 për qind e votuesve.

Zgjedhjet në Podujevë, ishin paraparë të mbaheshin më 15 mars, por për shkak të përhapjes së coronavirusit, ky proces u pamundësua.

Mandati i kryetarëve të rinj do të jetë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen në tetor të vitit 2021. Për dallim prej Podujevës, në Mitrovicën e Veriut garojnë katër kandidatë për kryetar komune.

Podujeva mbeti pa kryetar pasi Agim Veliu u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti.

Kurse Mitrovica e Veriut mbeti pa kryetar më datën 3 qershor, kur u votua Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, mori dy pozita, atë të zëvendëskryeministrit dhe mori në udhëheqje Ministrinë e Pushtetit Lokal. Rakiq ishte kryetar i Mitrovicës së Veriut për dy mandate.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: