KOSOVË- Kreu i qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa deklaroi sot në një konferencë për mediat se nuk do të ketë rritje të pagave, duke e justifikuar këtë me buxhetin e pamjaftueshëm. Mustafa tha gjithashtu se të hënën, në kuvendin e Kosovës do të shkojë ligji për Trepçën.

“Kur jemi te rritja e pagave, unë dua të jem i sinqertë. Pagat nuk po rriten se nuk ka buxhet të mjaftueshëm”, ka thënë kryeministri kosovar. Për sa i përket çështjes tjetër shumë të diskutuar, atë të Ndërmarrjes Trepça, Mustafa ka thënë se vendimi për të do të merret të hënën.

“Me ligjin që do të paraqitet të hënën në kuvend presim që Trepça të shpallët ndërmarrje publike dhe t’i merret AKP-së dhe kalon nën menaxhim të qeverisë. Nëse nuk behet kjo rrezikohet falimentimi i Trepçës që nënkupton mbetjen pa punë të mbi 5 mijë punëtorëve”, ka thënë ai.

Kryeministri kosovar i është përgjigjur gazetarëve edhe për zhvillimin ekonomik, për të cilin tha se nuk mund të lidhet me shifra, por pret që rritja e GDP-së për këtë vit të jetë deri 4%. Më tej, ai ka premtuar edhe se qeverisja e tij do të mundohet të gjejë një mënyrë për të bashkëpunuar me FMN-në e që lejon zbatimin e programit të tij. Gjithashtu ai tha se do të ndryshojnë edhe procedurat për dhënien në shfrytëzim të pronave, pasi sipas tij kjo po i largon investimet e huaja.
Në konferencën e sotme, Isa Mustafa ka bërë publike edhe emrat e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.
“Vlora Dumoshi, do të jetë shefe e stafit; Besnik Berisha është këshilltar për çështje të drejtësisë; Burbuqe Thaçi shefe e protokollit; shef i zyrës për informim të kryeministrisë do të jetë Drilon Zogaj; ndërsa Valon Murtezaj është emëruar këshilltar për politikë të jashtme. Qeveria Mustafa për dallim nga ajo e mëparshme do të ketë një zëdhënës, i cili do të emërohet së shpejti”, është shprehur kryeministri i Kosovës.
Mustafa ka thënë se edhe zëvendësministrat do të emërohen gjatë ditëve në vazhdim dhe se do të bëjë edhe nivelizimin e pagave në sektorin publik. Ai tha se gjatë këtij viti planifikon që të kalojë në Kuvend rreth 100 ligje dhe mbi 40 dokumente strategjike.

Kryeministri është përgjigjur pyetjes edhe për deklaratat e ministrit Jabllanoviç, duke thënë se ai ka lëshuar deklaratë të pamatura por sipas tij ai i ka sqaruar publikisht ato.
Po ashtu kryeministri ka treguar se në fillim të muajit që vjen do të vazhdoj dialogu me Serbinë në Bruksel dhe do të ketë takimin e parë me Vuçiç në nivel kryeministrash.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: