PRISHTINE- Pas mesnatës makina private familjare e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi është përfshirë nga flakët. Zyrtarët e policisë deri në këto momente nuk kanë dalë me ndonjë qëndrim zyrtar për arsyet e zjarrit në makinë dhe autorët.

Por sakaq, Qeveria e Republikës së Kosovës dënoi ashpër aktin. Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se sulmi ndaj ministrit Memli Krasniqi, i kryer nga njerëz të cilët pasi kanë humbur arsyen, duke mos zgjedhur mjete dhe mënyra radikale, po përpiqen ta zhysin vendin në kaos dhe anarki, për përfitime të caktuara.

“Ky sulm i paprecedentë kriminal, i ndodhur në vazhdën e sulmeve që janë kryer së fundi kundër bartësve legjitim të institucioneve të Kosovës dhe ministrit Krasniqi, nga grupe anarkiste parapolitike, synon të krijojë atmosferë të dhunës dhe frikës, si dhe të pengojë punën e Qeverisë së Kosovës dhe rezultatet konkrete të Ministrisë së Bujqësisë si një ndër sektorët prioritar për zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në reagim.

Qeveria e Kosovës ftoi organet kompetente të rendit dhe të drejtësisë, që të marrin të gjitha masat ligjore ndaj kryesve të këtyre sulmeve kriminale dhe të parandalojnë përsëritjen e tyre në të ardhmen.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, shpreh përkushtimin e plotë për zhvillim ekonomik, ndërtimin e gjithanshëm të shtetit dhe fuqizimin e partneritetit strategjik me SHBA-të dhe vendet tjera mike, përkundër përpjekjeve që grupe të izoluara po bëjnë për sabotimin e këtyre objektivave nacionale të qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: