Statuti i Asociacionit të Komunave Serbe ka filluar të hartohet nga Ekipi Menaxhues dhe do të prezantohet në dialogun e nivelit të lartë në Bruksel, por nuk mund të jetë i gatshëm për muajin janar.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, thotë për TribunaChannel se puna rreth hartimit të Statutit do të zgjasë, sikurse ka marrë kohë edhe negociimi për marrëveshjet.

“Hartimi i Statutit do të bëhet nga dy përfaqësues nga komunat veriore me shumicë serbe dhe dy përfaqësues nga komunat jugore me shumicë serbe, përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe ata të OSBE-së”, është shprehur Gecaj.

Parimet, për të cilat Gjykata Kushtetuese të mërkurën dha mendimin se nuk janë tërësisht në pajtim me aktin më të lartë juridik të shtetit, Gecaj thotë se nuk mund të kontestohen nga Beogradi zyrtar, pasi që sipas tij palët janë dakorduar se gjithçka do të shkojë në harmoni me Kushtetutën.

Përkundër kësaj, ai thotë se ekziston mundësia që Serbia, në takimin e janarit, ta ngreh si çështje diskutimi në nivelin e lartë të dialogut, përkatësisht ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Diskutimin për marrëveshjet e arritura deri më tani e ka pranuar një ditë më parë për TribunaChannel edhe zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç, duke shtuar se akti ligjor i Qeverisë së Kosovës për zbatim të kësaj Marrëveshjeje dhe Statuti pasues të përgatiten sa më shpejtë që është e mundur.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: